Kosova falënderon Britaninë e Madhe

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me Paul Brummell, komisionar i Lartë i Mbretërisë së Bashkuar në Barbados, i cili shoqërohej nga ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e fuqishme që Mbretëria e Bashkuar dhe përfaqësuesit e saj diplomatik po japin për Kosovën, me theks të veçantë në procesin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Paul Brummell, komisionar i Lartë i Mbretërisë së Bashkuar në Barbados dhe ambasadori i Britanik në Kosovë, Ian Cliff, vlerësuan lartë progresin në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Londrës për Kosovën, në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe proceset integruese euroatlantike./Indeksonline/