Kosova feston Fitër Bajramin, mesazhe për paqe, harmoni e begati
Prishtinë- Myslimanët e Kosovës po festojnë sot Bajramin e Madh (Fitër Bajrami), pas përfundimit të muajit të Ramazanit.
Siç raporton ‘Koha Ditore’ manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë Sulltan Mehmet Fatih (Xhamia e Madhe) në Prishtinë në orën 5:00 me faljen e namazit. Kurse namazi i Bajramit të Madh u fal në orën 06:12 minuta.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava uroi të gjithë besimtarët për Fastën e Bajramit të Madh.
Duke u bazuar në parimin se të gjithë jemi njerëz, dhe bijtë e Ademit dhe Havasë, ju ftoi që mes njerëzve të dominoi uniteti, vëllazërimi, harmonia, solidariteti dhe bashkimi i ndërsjellë, sepse vetëm kështu jeta do ta ketë kuptimin e saj,- tha Myftiu i Kosovës.
Me rastin e festës së Bajramit të Madh, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe gjithë besimtarët myslimanë.
Dita e Bajramit të Madh është një ditë feste, që vjen pas muajit të Ramazanit, e karakterizuar me sakrificë dhe solidaritet mes gjithë njerëzve. Uroj që këtë ditë ta shënoni së bashku me më të dashurit tuaj, me të mirat që ua ka dhuruar Zoti,-tha presidentja.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi uroi gjithashtu besimtarët islamë të Kosovës për festën e Bajramit të Madh.
Në emrin tim dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës uroj që në Kosovë të mbretërojnë paqja, respekti, toleranca dhe mirëkuptimi,-tha Krasniqit.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi uroi: “Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emrin tim tjua uroj festën e Fitër Bajramit…Urojmë që kjo frymë e mirëkuptimit dhe kultivimit të vlerave që na bashkojnë të vazhdojë dhe të thellohet gjithmonë në mesin tonë, duke e bërë Kosovën vend të paqes, përparimit dhe harmonisë midis njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike dhe religjioze.