E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova humbet 5-0, Humbja që “dridh” Rugovën “Bazuar në ftesën e lojtarëve të ftuar, nuk kam pritur paraqitje më të mirë të përfaqësueses së Kosovës ndaj ‘Malmos’. Thjesht Rugova nuk e meriton të jetë përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës”, ka

Fatmir Bytyçi(Prishtinë)- Disa ekspertë të futbollit të Kosovës të martën e kanë vlerësuar shumë të dobët paraqitjen e përfaqësueses së Kosovës në Futboll në miqësoren ndaj “Malmos” së Suedisë. Të përzgjedhurit e Edmond Rugovës kanë pësuar debakël ndaj “Malmos” 0:5 të shtunën që lamë pas, duke dëshpëruar sportdashësit e Kosovës me paraqitjen e dobët në këtë miqësore të shumëpritur. 

Lushtaku: Rugova s’e meriton të jetë përzgjedhës

Trajneri i “Drenicës”, Tahir Lushtaku, për humbjen e përfaqësueses së Kosovës ndaj “Malmos”, ka akuzuar përzgjedhësin e përfaqësueses së Kosovës, Edmond Rugovën. Lushtaku ka thënë se Rugova nuk është në dijeni me formën që aktualisht kanë futbollistët e Raiffeisen Superligës. Sipas tij, Rugova s’i ka ftuar në përfaqësuese futbollistët që meritojnë t’i mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës.

“Realisht nga fillimi i grumbullimit të përfaqësueses së Kosovës për takimin ndaj ‘Malmos’ jam i dëshpëruar me organizimin e bërë për miqësoren në Suedi. Grumbullimi për këtë takim nuk ka qenë serioz, sepse kanë munguara gjera elementare”, ka thënë për “Epokën e re”, Lushtaku. Ai ka theksuar se Rugova ka pasur mundësi të bëjë zgjedhje më të mirë. Sipas tij, Shtabi Teknik i përfaqësueses së Kosovës ka nevojë për ndryshime.

“Rugova ka pasur zgjedhje më të mirë rreth ftesave që u ka bërë futbollistëve. Ai nuk e njeh formën aktuale të lojtarëve, sepse, sikur Rugova ta njihte formën e tyre, mendoj se ka pasur vend edhe për disa futbollistë të tjerë. Pikërisht tre futbollistët e skuadrës së ‘Drenicës’, Enes Shosholli (portier), Kushtrim Lushtaku e Taulant Dajaku (futbollist), mendoj se gëzojnë formë të mirë dhe se, meritojnë të jenë pjesë të përfaqësueses së Kosovës. Bazuar në ftesën e lojtarëve të ftuar, nuk kam pritur paraqitje më të mirë të përfaqësueses së Kosovës ndaj ‘Malmos’. Thjesht Rugova s’e meriton të jetë përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës”, ka thënë Lushtaku.

Tovërlani: No coment!

Ndryshe, i pari i bankinës së “Prishtinës”, Afrim Tovërlani, lidhur me miqësoren e përfaqësueses së Kosovës ndaj “Malmos”, është përgjigjur shumë shkurt: “No coment”.

Sahiti: Duhet të punojmë më shumë

Paraqitjen e përfaqësueses së Kosovës ndaj “Malmos” e ka vlerësuar të dobët edhe ish-përzgjedhësi i Kosovës, Muharrem Sahiti. Ai ka thënë se mungesa e takimeve ndërkombëtare ka ndikuar në humbjen e paraqitjes së dobët të skuadrës sonë. Sahiti pohon se duhet punuar shumë më shumë në këtë drejtim.

“Ka qenë paraqitje e dobët. Mendoj se në këtë drejtim kanë ndikuar disa faktorë, në veçanti mungesa e ndeshjeve ndërkombëtare. Nuk duhet justifikuar paraqitjen e dobët të skuadrës sonë me mungesën e përgatitjes fizike apo taktike, por që të kemi skuadër më të mirë duhet punuar shumë më shumë në këtë drejtim. Të gjithë duhet të punojmë të krijojmë një përfaqësuese solide, në mënyrë që futbollin tonë në arenën ndërkombëtare ta përfaqësojmë sa më mirë”, ka thënë Sahiti.

E Marte, 31 Mars 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›