Kosova i jep fund pavarësisë së mbikëqyrur – një faqe e re hapet në historinë e këtij shteti

Grupi Ndërkombëtar Drejtues pritet të shpallë vendimin pas pak minutash
Kosova i jep fund sot pavarësisë së mbikëqyrur. Mbi 150 të ftuar ndërkombëtarë si dhe një numër i konsiderueshëm i delegacione shtetërore të niveleve më të larta do të jenë pjesëmarrës në këtë ngjarje. Në këtë ngjarje historike për Kosovën mes të tjerëve do të jenë prezentë ish i dërguari special i OKB-së, Marti Ahtisari si dhe komisioneri për zgjerim në Bashkimin Europian Stefan Fyle. Në ditën e parë të seancës solemne të Parlamentit të Kosovës do të flasin ish i dërguari special i OKB-së Marti Ahtisari , presidentja kosovare Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi. Ndërsa komisioneri për zgjerim në BE Stefan Fyle do të mbajë një fjalim në konferencën që organizon në Prishtinë Instituti “Iniciativa Evropiane për Stabilitetin”. Ndërkohë në ditën e dytë do të zhvillohet një videokonference ku do të flasë ish presidenti amerikan Bill Clinton dhe eurodeputetja Ulrike Lunacek. Gupi Ndërkombëtar Drejtues do të marrë sot vendim për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ky grup është i përbërë nga 23 shtete evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia. Të gjitha vendet anëtare të GND-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Qëllimi i këtij grupi ishte implementimi i plotë i Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, dokument ky që ishte përgatitur nga i dërguari special i OKB-së, Marti Ahtisari, më 26 mars të vitit 2007. Kuvendi i Kosovës ka miratuar pakon e ndryshimeve kushtetuese, me të cilat shpallet përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Në takimin e sotëm pritet edhe vendimi për mbylljen e Zyrës Ndërkombëtare Civile.
...