E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, drejt fitores së mandatit të tretë qeverisës

11-09-2012 / Gazeta 55

Kreu i ekzekutivit Sali Berisha deklaroi dje në takimin e përjavshëm me grupin parlamentar, se selia blu po përgatitet për zhvillimin e një fushate elektorale me energji të fuqishme, duke e sjellë atë në një format krejtësisht të ri. Arritjet e dy mandateve qeverisëse paraqiten si pema që do sjellë si frut, fitoren e re elektorale, një mandat për transformimin real të vendit

“Partia Demokratike po përgatitet energjikisht për zgjedhjet e ardhshme parlamentare me qëllimin rikonfirmimin në një tjetër mandat qeveritar, të tretin radhazi”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes javore të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kreu i demokratëve tha se ky mandat, është mandati i transformimit real të vendit dhe shëmbëllen si një pemë që jep frytet e saj. Sipas tij, PD po përgatitet për një fushatë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin e cila do të jetë fushata më e bukur e zhvilluar deri më sot.
“Së pari dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht ju dhe të gjithë zgjedhësit tuaj dhe të shpreh bindjen se të gjithë energjitë e ripërtërira të kësaj vere do të jenë energji të fuqishme të fushatës së ardhshme elektorale, energji me të cilat ne do të zhvillojmë më të bukurën, më intensiven, më të gjerën e të gjitha fushatave që kemi zhvilluar deri më sot. Asgjë nuk i shëmbëllen ky mandat, se sa një peme që jep frytet e saj”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai theksoi se në çdo cep të vendit po investohet, po realizohen projekte infrastrukturore të cilat kompletojnë objektivin e mazhorancës për transformimin e vërtetë të Shqipërisë.
“Në të gjitha zonat tuaja elektorale kudo që ju shkoni gjeni projekte të realizuara apo në realizim e sipër të këtij mandati, i cili është dhe mandati i transformimit të vërtetë të Shqipërisë. Ajo çka na inkurajon shumë në këtë vizion, në këtë përpjekje, ndonëse ne akoma nuk jemi një vend i zhvilluar, por me qëndrimin tonë serioz, me qëndrimin tonë të vendosur, ne kemi arritur këto dy vitet e fundit të regjistrojmë në Shqipëri disa nga arritjet shumë të rëndësishme të vendeve të zhvilluara”, tha ai.
Në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, Berisha tha se arritje të jashtëzakonshme janë shënuar në fushën e arsimit.
“Por pas kësaj hyrje, dhe që e quajta të arsyeshme të ndalem shkurtimisht në parapërgatitjet që kemi bërë në betejën e ardhshme elektorale, më lejoni që në emrin tuaj të uroj edhe njëherë sot nga zemra të gjithë fëmijët e Shqipërisë, nxënësit, nxënëset, prindërit e tyre, mësuesit, për fillimin e vitit të ri shkollor, të uroj shumë sukses shëndet dhe mbarësi! Uroj që ky vit të ngjisë gjithnjë e më lart shkollarët e këtij vendi, sikundër duhet të zotohem se si përparësia jonë absolute, arsimi do të ketë dhe në vazhdim mbështetjen e plotë dhe totale të kësaj qeverie. Ne besojmë dhe jemi të bindur se ‘Shqipëria e zhvilluar’, do të jetë vetëm ‘Shqipëria e dijes’ dhe se promotori i zhvillimit të një shoqërie, kombi dhe vendi ka qenë dhe mbetet shkolla dhe shkollimi”, theksoi kryeministri Berisha.
Ndryshimi i Shqipërisë gjatë qeverisjes nga Partia Demokratike dhe mazhoranca e drejtuar prej saj, është një realitet sa i prekshëm aq edhe i vërtetë. Kurrë ndonjëherë Shqipëria s’ka njohur rritjen e pagave dhe pensioneve me mbi 200 për qind, nga të cilat kanë përfituar jo pak, por 850 mijë familje shqiptare. Përtej retorikës së fortë politike, më shumë se kurrë janë shifrat ato që flasin vetë për suksesin e kësaj mazhorance. Shqipëria po shkon drejt nivelit rekord të investimeve në infrastrukturë me rreth 10 mijë km rrugë të ndërtuara nga veriu në jug. Një punë e jashtëzakonshme është bërë dhe po bëhet për rikonstruksionin e rrugëve rurale, ndërtimi i të cilave njeh ritme përshpejtimi.
Sot, Shqipëria ka një nga rrjetet rrugore më moderne në rajon dhe më gjerë, krejt ndryshe nga 7 vjet më parë kur renditej si vendi me sistemin rrugor më të amortizuar në Evropë. Sikurse, një nga objektivat e qeverisë, për asfaltimin e rrugëve me dalje në det, sot është një premtim i realizuar dhe për kënaqësinë e të gjithëve, Shqipëria ka një nga rivierat detare krejtësisht të frekuentuara, ndryshe nga 7 vjet më parë, çka ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve nga 300-400 mijë në 2004-ën, në 4 milionë në 2011-ën.
Reformat ekonomike kanë qenë një tjetër tregues suksesi në rritjen ekonomike vit pas vit, zhvillime të cilat kanë bërë të mundur rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet infrastrukturore etj., këto falë modelit të suksesshëm ekonomik i motivuar nga formula e taksimit të sheshtë dhe ulja e ndjeshme e taksave. Kjo ka dhënë rezultate të shkëlqyera në thithjen e investimeve të huaja të cilët kanë gjetur në Shqipëri një klimë të favorshme për zhvillimin e biznesit, duke ndikuar në çeljen e vendeve të reja të punës.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Evropian, 7 vjet më parë ishin një premtim i interpretuar si utopik, por sot flasim për premtime të realizuara; Shqipëria është anëtare më të drejta të plota në NATO dhe një nga kontribuueset e rëndësishme përkrah SHBA-ve, për sigurinë në botë; si dhe qytetarët shqiptarë lëvizin sot, njësoj si bashkëqytetarët e tyre evropianë, të lirë dhe pa barriera penguese në vendet e “Schengen”-it evropian. “Shqipëria dixhitale” është sot më pranë se kurrë qytetarëve shqiptarë nga Vermoshi në Konispol.
Një nga arritjet më të rëndësishme në zhvillimin e tregut, ekonomisë globale dhe përshpejtimin e përcjelljes së informacionit. Kësisoj, “Shqipëria vend i zhvilluar” nuk ishte thjesht një slogan elektoral, por një program i mirëfilltë qeveritar me qëllim ndryshimin e Shqipërisë dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Zhvillim i cili merr një tjetër dimension me marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe çeljen e negociatave. Arsye të mjaftueshme këto për Partinë Demokratike dhe mazhorancën e drejtuar prej saj, për të kërkuar mandatin e tretë qeverisës.
L. Quku

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›