E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova i kërkon ndihmë Malit të Zi për CEFTA-n

Nga Express më 10 shkurt 2011 në ora 22:21

Drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës kanë kërkuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi që t’iu ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA’s.

Ata kanë kërkuar që të punohet më shumë në eliminimin e barrierave në mes dy vendeve. Udhëheqësit e të dy odave janë dakorduar që të rritet bashkëpunimi mes dy këtyre institucioneve, në mënyrë që të bëhet përpjekje më e madhe për eliminimin e barrierave për bizneset dhe gjithashtu të ketë një këmbim tregtar më të madh mes dy vendeve.

Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK’ut, thotë se ka bërë apel te kryetari Mijuskovic për të vënë autoritetin e vet në funksionalizimin e CEFTA-s, një marrëveshje që, sipas tij, Kosovën shumë më tepër e dëmton sesa që e avancon përmes këtij zbatimi.

“Duhet të bëhet më tepër në krijimin e mundësive që posedojnë dy shtetet. Po ashtu kërkova që këto dy qeveri të bëjnë më tepër në eliminimin e barrierave aktuale, që e pengojnë bashkëpunimin ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Velimir Mijuskoviq, ka thënë se raportet ekonomike mes dy vendeve po zhvillohen, por jo aq sa është e dëshirueshme.

Për më tepër, ai ka shtuar se afërsia mes tregjeve të dy vendeve është një përparësi sa i përket këmbimeve tregtare dhe bashkëpunimeve mes të dy vendeve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›