Kosova kërkon nga BE dhe SHBA më shumë presion ndaj Serbisë
Dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Kuçit, duhet të jetë më konkret dhe mos të bëhet vetëm sa për sy e faqe.
“Dialogu duhet të jetë më konkret, pala serbe duhet të jetë më konstruktive dhe vullnetin tonë për dialog besoj se edhe BE-ja edhe SHBA-ja duhet ta çmojnë. Por duhet ta rrisin presionin mbi Serbinë. Dialogu duhet të ketë afat kohor dhe po ashtu duhet të ketë tema të zgjidhura dhe nuk duhet të jetë vetëm sa për të thënë, apo vetëm sa për sy e faqe. Në këtë drejtim Kosova po i kryen obligimet e veta, por ka mundur dhe mund të bëhet më shumë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryeparlamentari Krasniqi gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës ka thënë se përkundër politikës aktuale serbe të urrejtjes e të dëmtimit të Kosovës, institucionet e Kosovës vazhdojnë të dërgojnë mesazhet e paqes, të pajtimit dhe bashkëpunimit.
“Bota demokratike duhet të ushtrojë presion mbi autoritetet serbe që të heqin dorë nga politika intervencioniste ndaj Kosovës dhe të mos hapen vatra të reja krize e rreziku në rajonin tonë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë sa i përket politikës së jashtme të Kosovës, konkretisht qëndrimit të saj karshi kërkesës së Palestinës për njohjen e saj, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se do ta ndjekin vetëm politikën e BE-së dhe SHBA-së.
I pyetur nëse mund të ndikojë në njohjen e Kosovës nga vendet islamike, qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha gjatë vizitës në Izrael se Shqipëria nuk do ta njohë Palestinën, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se Shqipëria është shtet i pavarur, e ka politikën e vet dhe Kosova nuk i ndërhynë në këtë drejtim.
Kuçi ka thënë se politika më e mençur e një vendi në Ballkan, në këtë rast edhe e Kosovës është të jetë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe BE-në. /kosovapress/