Zbanic rrëmben ‘Hyjneshën’

Filmi që prezantoi Bosnje e Hercegovinën fitoi edhe dy çmime të tjera: çmimin për skenarin më të mirë - të shkruar nga Jasmila Zbanic, dhe çmimin për aktoren më të mirë - që iu nda Zrinka Cvitesic’it.
Juria profesionale, e përbërë nga aktori Enver Petrovci, aktorja Zethana Bahtiri, aktori dhe gazetari Imer Mushkolaj, këngëtari Naser Gjinovci dhe regjisori Ekrem Sopi ndau edhe disa çmime të tjera.
Kështu, për regjinë më të mirë u shpërblye Michele Leclerc, regjisor i filmit “Emri i Njerëzve” (Francë). Ky film fitoi edhe çmimin për aktoren më të mirë në rol episodik, që i takoi Michelle Moretti’t. Aktori më i mirë u shpall Jordan Simonov, për rolin në filmin “Panku Nuk ka Vdekur” (Maqedoni), kurse çmimi për rol episodik të mashkullit iu nda Bruno Shllakut, për rolin në filmin “Gjallë” (Shqipëri).
Në kategorinë e filmave të shkurtër, respektivisht në programin “Kinemaja e së Ardhmes”, fitues u shpall filmi i Burim Halitit, “Intervista”.
Juria vendosi që një çmim special t’ia ndajë edhe ish-kryeministrit francez, Lionel Jospin, për paraqitjen e tij në filmin “Emri i Njerëzve”.
Në festivalin që nisi të enjten e kaluar në Ferizaj u shfaqën pesëmbëdhjetë filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër. Për çmimet e festivalit konkurruan Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Turqia, Maqedonia dhe Franca. Nga pesëmbëdhjetë filmat, tetë ishin të metrazhit të gjatë (artistikë) dhe shtatë të metrazhit të shkurtër. Në konkurrencë ishin pesë filma të metrazhit të gjatë dhe të gjithë filmat e shkurtër - prodhime të kineastëve të rinj kosovarë, që u shfaqën në programin “Kinemaja e së Ardhmes”. Tre filmat e tjerë të metrazhit të gjatë u shfaqën jashtë konkurrence.
Pjesa konkurruese e festivalit u hap me filmin e regjisores Selda Cicek “Farat e Fikut” (Turqi), me Ozge Namal dhe Derya Durmaz në rolet kryesore, për të vazhduar të premten me filmin e regjisores Jasmila Zbanic “Në Rrugë” (BeH), me aktorët Zrinka Cvitesic, Leon Lucev, Ermin Bravo, Mirjana Karanovic, etj. Të shtunën u dha filmi “Panku Nuk ka Vdekur ” (Maqedoni) i regjisorit Milan Blazevski, me protagonistë Jordan Simonov, Kamka Tacinovski, Toni Mihajlovki e Xhevdet Jashari, ndërsa të dielën filmi i regjisorit Michel Leclerc “Emri i Njerëzve” (Francë), me Jacques Gamblin e Sara Forestier në rolet kryesore. Të hënën, në mbrëmjen kur u ndanë shpërblimet e festivalit, u shfaq filmi “Gjallë ” (Shqipëri), në regji të Artan Minarollit, me Nik Xhelilajn, Niada Saliasin, Besart Kallakun e Xhevdet Ferrin në rolet kryesore.
Kosova, në festival u prezantua në programin e veçantë, dedikuar kineastëve të rinj - “Kinemaja e së Ardhmes”.
Festivali u mbajt në Teatrin Adriana, në Ferizaj.