E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, konkurruese

Llamkos Kosova është rikthyer furishëm në Superligë. Falë një sponsori të ri, klubi vushtrrias i ka rënë shqelm fukarallëkut, duke u shndërruar në një klub shumë serioz. Gjatë gjithë verës, bardhekaltrit kanë punuar dhe po vazhdojnë të punojnë rreth përgatitjes sa më të mirë të skuadrës së tyre, për ta sfiduar fuqishëm gjithë Superligën. Megjithatë, trofetë nuk janë prioritete kryesore të Llamkos Kosovës.

Pas dy vitesh të kaluara në Ligën e Parë, Llamkos Kosova (ish-Kosova e Vushtrrisë) është rikthyer furishëm në Superligë. Në fakt, në pjesën e dytë të kampionatit të fundit, bardhekaltrit ishin mobilizuar për t’u rikthyer në elitën e futbollit kosovar, për çka edhe ia kishin dalë t’i rikthenin në skuadrën e tyre disa futbollistë të njohur vushtrrias që luanin nëpër klube të tjera.

Ky projekt u ‘ndezi’ vushtrriasve, ngase si të dytët në Ligën e Parë, e siguruan inkuadrimin në Superligë për ta zëvendësuar KEK-un. Ndërsa, me t’u rikthyer në elitë, ata e siguruan një sponsor serioz, emrin e të cilit ia bashkuan atij të klubit, Llamkos Kosova. Ky sponsor ka bërë që kjo skuadër t’i bjerë shqelm krizës financiare, nga e cila vuante prej vitesh.

Vushtrria ishte hedhur në festë të madhe kur ekipi i vet ishte rikthyer në elitë. Entuziazmi i qytetarëve të këtij vendi për futboll sikur i shtyri krerët dhe sponsorët e klubit të vazhdonin me konsolidimin edhe më të mirë të skuadrës për sezonin e ri.

Kështu, gjatë verës ata pushtuan tregun e futbollistëve duke i siguruar shërbimet e pesë futbollistëve cilësorë. Fjala është për Alban Dragushën (Besa Kavajë), Arbër Prekazin (Trepça), Alban Mavriqin (Hajvalia), Mehë Ukën (Prishtina) e Labinot Jetullahun (Drita). Por, ky numër mund të rritet, ngase vushtrriasit janë në pritje të përgjigjeve edhe të disa futbollistëve të tjerë që u kanë bërë oferta, duke përfshirë Mentor Zhdrellën e Hysit.

E Llamkos Kosova e sotme po e kënaq trajnerin Besnik Kollari. “Normalisht që sot ndihemi shumë më të fortë. Kur e ke një kryesi të organizuar dhe një ekip që stërvit me seriozitet, pa telashe, por të gjithë të bashkuar e në harmoni, normalisht që na bën të ndihemi më të fortë”, thotë Kollari.

“Jemi të kënaqur me ardhjen e këtyre përforcimeve. Ata po punojnë mirë bashkë me pjesën tjetër të ekipit. Jam i kënaqur me rrjedhjen e përgatitjeve, edhe pse ende është herët të flasim se sa është komponuar ekipi, por kjo do të shihet më vonë”, shtoi ai.

Skuadra bardhekaltër edhe në ditët më të vështira të saj gjithherë u ka shkaktuar probleme të mëdha klubeve të tjera të Superligës, madje ka ditur që edhe ta ‘përcaktojë’ fituesin e titullit të kampionit. E fortë pritet të jetë edhe në kampionatin e ri, sidomos pas këtij riorganizimi. Megjithatë, trofetë nuk janë objektiva të vushtrriasve.

“Nuk kemi presion nga kryesia për të arritur ndonjë objektiv. Synim i vetëm yni është të tregojmë lojëra të mira, nëpërmjet së cilave duam të korrim rezultate pozitive. Pra, nëpërmjet lojërave të mira, do të mundohemi të ngjitemi sa më lart, edhe pse nuk do të jetë lehtë, përkundrazi”, përfundoi Kollari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›