Flamuri olimpik zbarkon ne Rio

Flamuri olimpik zbarkoi në Rio de Zhaneiro në duart e kryebashkiakut, Eduardo Paes, duke nisur zyrtarisht përgatitjet e qytetit të mirënjohur brazilian për Olimpiadën 2016.
Flamuri me pesë unazat, që përfaqëson bashkimin e pesë kontinenteve të banuara shërben gjithashtu për të kujtuar se presioni po rritet mbi organizatorët e edicionit të 31-të të Lojërave Olimpike.
Londër 2012 u cilësua si një sukses i jashtëzakonshëm në aspektin organizativ, ndërsa Rio de Zhaneiro është kritikuar për vonesat në ndërtime, rritjen e kostove dhe mbingarkesën e trafikut në aeroporte dhe rrugë.
Në një konferencë të përbashkët, kryebashkiaku, Paes, guvernatori i shtetit, Serxho Kabral dhe presidenti i Komitetit Olimpik brazilian, Karlos Artur Nuzman, garantuan botën se pas 4 vjetëve Rio do të jetë gati.
“Brazili është në elitën e sporteve globale, falë sukseseve dhe arritjeve të tij. Organizimi i Olimpiadës 2016 është një eveniment unik dhe i rallë në histori”, tha Nuzman.
Flamuri olimpik do të transportohet në kryeqytetin Brasilia për një ceremoni me presidenten Dilma Rusef. Të mërkurën, ai do të vizitojë disa prej lagjeve famëkeqe të Rios dhe zona të varfëra në periferi të qytetit.
Ndërkohë, në Sao Paolo, skuadra braziliane e volejbollit të femrave festoi medaljen e artë olimpike, duke parakaluar me automjete të zjarrëfikësve nëpër rrugët e qytetit, për tu drejtuar më pas në pallatin qeveritar.
Brazili fitoi 3 medalje të arta në Londër 2012, 5 argjendi dhe 9 bronzi, duke u renditur në vendin e 22-të me 17 medfalje në total. Objektivi i amerikano-jugorëve për Olimpiadën 2016 në shtëpi është që të jenë pjesë e 10 vendeve të para në klasifikimin e përgjithshëm për medalje të fituara.