E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria luan me gjeneratorë

Mungesa e rrymës në stadiumin ‘Qemal Stafa’ fillimisht për pak sa nuk e anuloi zhvillimin e miqësores mes Shqipërisë dhe Moldavisë. Megjithatë, kjo ndeshje do të zhvillohet sonte në Tiranë, ngase Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar se ndriçimi në stadium do të realizohet me energjinë elektrike që do të prodhohet nga ana e gjeneratorëve.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka zgjidhur problemin e furnizimit me rrymë të stadiumit ‘Qemal Stafa’, në mungesë të së cilës për pak sa nuk u anulua miqësorja mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Moldavisë.

Megjithatë, kjo miqësore do të zhvillohet në terminin e paralajmëruar, respektivisht të mërkurën në ‘Qemal Stafa’ prej orës 20:30, ngase FSHF-ja ka konfirmuar se ndriçimi në stadium do të realizohet me energjinë elektrike që do të prodhohet nga ana e gjeneratorëve.

Ky takim është shumë i rëndësishëm për kuqezinjtë, ngase do të jetë testi i fundit i tyre para fillimit të kualifikimeve për Kampionatin botëror ‘Brazili 2014’. Kështu ka thënë edhe vetë kapiteni i ekipit kombëtar shqiptar, Lorik Cana.

“Kjo sfidë është shumë e rëndësishme dhe do të na ndihmojë në kuadër të kualifikueseve të Botërorit ‘Brazili 2014’”, ka deklaruar në konferencë për media mesfushori kosovar i Lazios, i cili mbetet me shpresë që ekipi i tij ta fitojë këtë përballje me moldavët.

Siç dihet, Shqipëria kualifikimin në ‘Brazili 2014’ do ta kërkojë në Grupin E, përballë Norvegjisë, Sllovenisë, Zvicrës, Qipros dhe Islandës. Ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin e ardhshëm, ekipi i Gianni De Biasit do ta zhvillojë në Shqipëri më 7 shtator ndaj Qipros, derisa vetëm katër ditë më vonë, Kuqezinjtë do të jenë mysafirë të Zvicrës së Valon Behramit, Xherdan Shaqirit, Blerim Xhemailit, Granit Xhakës e Admir Mehmetit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›