E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investime politike

Udhëheqësit e FC Prishtinës janë hidhëruar në Ministrinë e Sportit. Atyre u ka mbetur hatri që ministri Memli Krasniqi nuk e ka përfshirë stadiumin e kryeqytetit në mesin e 11 stadiumeve të tjera, në të cilat ky institucion do t’i shpenzojë 1 milion euro në përmirësimin e infrastrukturës. Madje, bardhekaltrit nuk hezitojnë t’i quajnë ‘investime politike’ këto donacione të këtij dikasteri qeveritar.

Ministria e Sportit, e udhëhequr nga ministri Memli Krasniqi, e hapi ‘kuletën’ dhe vendosi që me 1 milion euro ta përmirësojë sadopak infrastrukturën në 11 stadiume të futbollit nëpër Kosovë, ndonëse në fokus do të jenë kryesisht objektet në të cilat luajnë skuadrat e Superligës.

Mirëpo, në këtë ‘11-she’ nuk është përfshirë fare stadiumi i kryeqytetit, i cili shfrytëzohet nga klubi më i famshëm kosovar, FC Prishtina. Kjo ka shkaktuar zhgënjim të madh në klubin bardhekaltër, që udhëhiqet nga një shoqëri aksionare. Megjithatë, kryesia e këtij klubi ankohet se me këtë rast kryeqyteti është diskriminuar.

“Ministria nuk ka nevojë të investojë në klub, sepse klubi udhëhiqet nga ne si shoqëri aksionare. Pra, klubi është i yni, e jo stadiumi, andaj është dashtë të investojë edhe në stadiumin tonë”, tha nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi.

“Normalisht që jemi shumë të zhgënjyer. Siç po shihet qartë, edhe sporti i Kosovës është politizuar skajshmërisht dhe kjo vërtetohet me këtë veprim të fundit të Ministrisë së Sportit”, deklaroi ai, duke kujtuar se stadiumi në fjalë i takon Komunës së Prishtinës që udhëhiqet nga LDK-ja e Isa Mustafës, derisa 1 milion eurot e lartpërmendura rrjedhin nga Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga PDK-ja e Hashim Thaçit, së cilës parti i përket edhe vetë ministri Krasniqi.

Por, edhe më zhgënjyes bardhekaltrit i ka bërë fakti se ishin të parët që kishin bërë kërkesë në Ministrinë e Sportit për ta ndihmuar përmirësimin e gjendjes së stadiumit të kryeqytetit.

“Këtë kërkesë e kemi bërë në të gjitha institucionet, atëherë kur donim ta sillnim Shqipërinë në stadiumin tonë për t’i luajtur ndeshjet ndërkombëtare. Donacion fillimisht ka merituar stadiumi i Prishtinës, ngase është në kryeqytet dhe më i përafërti për t’i përmbushur kriteret e FIFA-s e UEFA-s. Pastaj ai ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë e kështu me radhë, ngase të gjitha stadiumet e Kosovës janë të rënduara”, shtoi Muçiqi.

“Ministria le ta dijë se qytetarët e Prishtinës janë duke u ndjerë shumë të diskriminuar”, përfundoi ai.

Ndër 11 stadiumet ku do të investohet, duke filluar nga vjeshta e këtij viti, e që mund të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm, më së shumti do të investohet në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ku do të derdhen rreth 500 mijë euro.

Në renovimin e stadiumit të qytetit në Prizren do të investohen 120 mijë euro, në atë të Mitrovicës ‘Riza Lushta’, 40 mijë euro, në Pejë ka përfunduar investimi i 250 mijë eurove dhe pritet të investohen edhe 40 mijë të tjera.

Në Gjakovë do të shkojnë 47 mijë euro, në Shtime 80 mijë, në Kaçanik 33 mijë, në Skenderaj 160 mijë, në stadiumin e Flamurtarit mbi 30 mijë, në Fushë-Kosovë 33 mijë e 356 euro dhe në stadiumin e Hysit, rreth 35 mijë. Në tërësi, Ministria e Sportit pritet t’i investojë mbi 1 milion euro në renovimin e stadiumeve të futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›