Kosova lëkund karrigen e Tadicit

Negociatat e ndërmjetësuara nga BE, mes Serbisë dhe Kosovës, dështuan prapë pas ballafaqimit të dhunshëm në mes të paqeruajtësve ndërkombëtarë dhe serbëve të veriut të Kosovës.
Analistët thonë se ky ballafaqim, i dyti që nga gushti, ka dobësuar shumë koalicionin pro-evropian të presidentit serb Boris Tadic, në prag të zgjedhjeve të parapara për pranverën e vitit 2012, raporton “EurActiv”, transmeton telegrafi.com.
Gjatë një operacioni në kufirin Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga Forca e NATO-s në Kosovë më 27 shtator, forcat ndërkombëtare kanë shtënë te demonstruesit, duke lënduar gjashtë vetë. Qëllimi i operacionit ishte heqja e barrikadave serbe në Jarinje dhe në Bërnjak, në pikëkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë përleshjes, demonstruesit hodhën drejtë KFOR-it një bombë të punuar me dorë, duke lënduar kështu katër paqeruajtës të cilët më pas u kundërpërgjigjën. Serbia akuzoi KFOR-in se ka përdorur municion të vërtetë kundër civilëve.
Si rezultat i këtij përshkallëzimi, është shtyrë për kohë të pacaktuar raundi i bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, të parapara për 27 dhe 28 shtator, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas agjencisë “Beta”, partnerit të “EurActiv” në Serbi, presidenti serb Boris Tadic dhe koalicioni qeverisës serb kanë qenë të vetëdijshëm për qëllimin e forcave ndërkombëtare për heqjen e barrikadave dhe të demonstruesve nga vendkalimet e kufirit verior, para raundit të ri - të shtatë - të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Pas sulmeve të njëpasnjëshme të forcave të Kosovës dhe të serbëve në pikëkalimet në Jarinje dhe Bërnjak, korrikun e kaluar, Serbia humbi kontrollin në dy pikat e kontrollit. Tani, të dyja këto janë të kontrolluara nga EULEX-i, KFOR-i dhe një doganier i Kosovës.
Thuhet se autoritetet serbe fillimisht deshën ta zgjidhin bllokimin duke e vënë këtë çështje në agjendën e dialogut të rregullt me Prishtinën, por qeveria e Kosovës nuk pranoi për ta diskutuar këtë.
Beogradi pastaj vendosi të flas për mosmarrëveshjen në lidhje me vendosjen e një zyrtari doganor të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak, jashtë e dialogut të rregullt, me përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-ve. Megjithatë, shanset e Beogradit për fituar një zgjidhje që do të rivendoste gjendjen e mëparshme në Jarinje dhe Bërnjak, duket se nuk ekzistojnë fare.
Analistët në agjencinë serbe të lajmeve thonë se qëllimi i Beogradit ishte për të fituar kohë dhe në të njëjtën kohë për të siguruar kontrollin afatgjatë në pjesën veriore të Kosovës, në çka ajo dështoi. Çështja e kontrollit të kufirit verior të Kosovës tani është duke u zgjidhur në një gjendje krize dhe tensioni, për çka Beogradi është i detyruar t’i vuajë pasojat.
Përshkallëzimi i dhunës e ka lënë Tadicin në pozicionin ku ai mundet vetëm të protestoj, të dënoj përdorimin e forcës dhe të nxis të gjitha palët e përfshira që të rrinë të qeta, duke demonstruar një mungesë të dukshme të ndikimit mbi zhvillimet në terren.
Në anën tjetër, partitë nacionaliste politike në Serbi e kanë tani dorën e lirë që ta përdorin situatën në veri të Kosovës si mjet shumë efikas kur ballafaqohen me të ashtuquajturin koalicion "pro-evropian".
Këto parti tani lehtë mund të nxisin protesta, të përkeqësojnë tensionet dhe të fillojnë të akuzojnë qeverinë për tradhti të interesave serbe dhe të humbjes së Kosovës.
Partia Demokratike e Serbisë, e udhëhequr nga ish-kryeministri Vojislav Kostunica, dhe Partia Përparimtare Serbe e udhëhequr nga Tomislav Nikolic, kanë ndikim të konsiderueshëm në veriun e Kosovës dhe që të dy janë duke përfituar nga kriza aktuale për të përforcuar në të ardhmen pozitat e tyre.
Partia ultra-nacionaliste Radikale serbe, një parti politike me shumë ndikim në veri të Kosovës, ka marrë qëndrim shumë të ngjashëm.
Faktori i jashtëm po ashtu nuk duhet lënë pas dore ose, shkruan analisti i “Beta”. Rusia ka treguar kohëve të fundit interes të shtuar për situatën në Kosovë dhe kërkon mbështetje nga partitë konservative dhe nacionaliste në Serbi, në mesin e të cilave është Partia Demokratike e Serbisë, Partia Progresiste Serbe dhe Partia Radikale Serbe.