E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stop naftës së keqe

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë u ka dhënë afat naftëtarëve t’i largojnë nga tregu karburantet që ua shesin aktualisht qytetarëve. Shefja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se këto produkte në vazhdimësi janë importuar në mungesë të një kontrolli nga autoritetet vendore. Prandaj ka vënë kritere të reja për importin e karburanteve si në vendet e BE-së Nga Albulena Maloku më 29 shtator 2011 në ora 12:35

Edhe një muaj afat. Kaq kanë kohë shitësit e karburanteve t’i largojnë nga tregu produktet që ua shesin tani kinse të cilësisë së lartë. Kështu ka dhënë ultimatum Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pasi që ka konstatuar se nafta që shitet në tregun e Kosovës është jocilësore.

Vetë shefja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila, pranon se kualiteti i derivateve të naftës deri më tash ka qenë i dobët dhe, sipas saj, këto produkte në vazhdimësi janë importuar në mungesë të një kontrolli nga autoritetet vendore.

Për ta ndryshuar situatën, MTI’ja ka ndryshuar Udhëzimin administrativ për cilësinë e karburanteve të naftës dhe Udhëzimin administrativ për vlerësim të konformitetit.

“Ndryshimet kryesore për cilësinë e naftës janë ngritja e kualitetit të derivateve të naftës në tregun vendor, duke ulur nivelin e lejuar të sulfurit nga 50 ppm në 10 ppm për derivatet e lëngëta dhe për vajrat nga 2 për qind në 1 për qind, pra kjo është konform standardeve të shumicës së vendeve të BE’së dhe vendeve të rajonit”, ka pohuar Kusari-Lila.

Ajo tregon se këto dy udhëzime do të hyjnë në fuqi prej 1 nëntorit.

“Autoritetet vendore nga muaji nëntor do të lejojnë vetëm importimin e naftës cilësore, që do të jetë në përputhje me standardet që zbatohen në vendet e BE’së, sepse deri më tash Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka importuar naftë me përqindje të lartë të sulfurit”, thotë ajo.

Kusari – Lila ka bërë të ditur se kontrolli i naftës dhe derivateve të saj do të bëhet në kufi nga trupat e autorizuara inspektuese në bashkëpunim me doganat e Kosovës. Kurse në tregun e brendshëm, kontrolli do të bëhet përmes inspektoratit të tregut. Ajo sqaron se pas zbatimit të këtyre udhëzimeve, pritet që çmimi i naftës të ulet e po ashtu edhe ndotja në mjedis. Për importuesit që shkelin këtë udhëzim ndëshkimet do të jenë sipas ligjit të inspektoratit të tregut. Ndërsa llogaritet se në dy vjetët e fundit në Kosovë çmimet e derivateve janë më të shtrenjtat në rajon dhe me cilësi mjaft të dobët.

Krahas ndryshimeve në tregun e derivateve të naftës, ministrja Kusari-Lila tregon se tashmë kanë bërë ndryshimet edhe në sektorin e ndërtimtarisë. Sipas saj, me vendimin për heqjen e proceduarve të licencimit për subjektet ndërtimore, kanë lehtësuar punën e bizneseve që merren me këtë sektor.

Me këtë vendim, MTI’ja tash e tutje do të licencojë arkitektët dhe inxhinierët, në mënyrë që për secilin objekt të ndërtuar të ekzistojnë profesionistët përkatës, të cilët do të jenë përgjegjës nëse ndodh diçka para ose pas lëshimit në funksion. Me heqjen e procedurës së licencimit, subjektet ndërtimore tanimë do të kenë lehtësim në procedurat administrative në zhvillimin e afarizmit të tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›