Serbia, bllokon dialogun

Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë kanë dështuar ta mbajnë raundin e shtatë të bisedimeve në Bruksel për shkak të zhvillimeve të fundit në Veri.
Në fakt, ky raund është anuluar për shkak të kërkesës së palës serbe që në rend dite të futet çështja e dy pikave doganore, të cilat po kontrollohen nga KFOR’i që nga data 16 shtator.
Kryenegociataori serb, Borko Stefanovic ka paralajmëruar tash e sa ditë mundësinë që takimet e planifikuara të mos mbahen fare, por skenarin e tij e ka vënë në lojë pikërisht në ditën kur ka arritur në kryeqytetin europian.
Ai ka shkuar me vonesë atje, derisa ka refuzuar që të jetë pjesë e takimeve, në të cilat dy palët do duhej të bisedojnë për telekomin, energjinë dhe bashkëpunimin rajonal.
Në vend të kësaj, Stefanovic ka takuar vetëm përfaqësuesit e BE’së dhe të SHBA’së.
Por ai nuk ia ka dalë të bindë ndërmjetësit që pikat doganore të futen në agjendën e bisedimeve, duke nxitur kështu lehtësuesin Robert Cooper të shpallë të dështuar këtë rreth bisedimesh.
Cooper përmes një njoftimi, ka bërë të qartë se dialogu nuk është zhvilluar pikërisht për shkak të palës serbe.
“Dialogu sot nuk është zhvilluar, sepse delegacioni serb nuk ka qenë i gatshëm të procedojë me diskutimet sot”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të qartë se temat e propozuara nga delegacioni i Beogradit nuk kanë qenë pjesë e rendit të ditës.
“ Situata në portat doganore, në pjesën veriore të Kosovës, nuk është pjesë e dialogut, e as subjekt i çfarëdo negociate të veçantë me Serbinë”, ka thënë ai.
Britaniku në njoftimin e tij ka rikonfirmuar temat që ishin parashikuar të diskutoheshin.
“Palët do të duhej, po ashtu, të bisedojnë edhe për implementimin e marrëveshjeve paraprake, të arritura gjatë dialogut në Bruksel”, ka shtuar ai.
Dialogu do të vazhdojë kur pala serbe të jetë e gatshme për t’u riangazhuar në proces.
“Qëllimi i procesit mbetet diskutimi i çështjeve që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve dhe sjelljen e palëve më afër BE’së”, ka thënë Cooper.
Vlerësohet se mosmbajtja e këtij raundi mund edhe të shkaktojë ndërprerjen e dialogut teknik të filluar muaj më parë. Por lehtësuesi Cooper, i cili është këshilltar i Baroneshës Ashton, nuk ka dhënë shenja shqetësimi.
Ai ka paralajmëruar se do të udhëtojë në Beograd dhe Prishtinë, në përpjekje për të aranzhuar një takim të ri mes palëve.
“Ka pasur takime të caktuara për dje dhe sot, por nuk janë mbajtur. Kjo ka ndodhur për shkak të ngjarjeve që janë duke ndodhur në Veri të Kosovës, ku aktualisht ka pasur disa incidente mjaft të vogla, por sidoqoftë ato kanë shkaktuar një situatë alarmante. Nën këto rrethana, pala serbe pati ndjesinë se nuk është e mundur të flasë për çështje afatgjata siç është bashkëpunimi rajonal”, ka thënë Cooper.
Ai me këtë rast ka përmendur edhe raportimet e mediave serbe për ngjarjet në Veri duke thënë se ato kanë qenë të ekzagjeruara.
“Mediat serbe raportuan se Veriu i Kosovës është kapluar nga flakët. Mendoj se kjo është ekzagjeruar paksa”, ka thënë ndërmjetësi.
Kjo fjali i ka mjaftuar më pas që të shprehë pak mirëkuptim për palën serbe, e cila refuzoi të jetë pjesë e raundit të shtatë të bisedimeve.
“Mendoj se pozita e delegacionit serb edhe mund të kuptohet”, ka thënë Cooper.
Zyrtari i lartë europian ka tentuar të ngjallë më shumë shpresa për vazhdimin e dialogut, kur ka folur për marrëveshjet paraprake për të cilat janë pajtuar Prishtina dhe Beogradi.
Vëmendje të veçantë u ka kushtuar vulave doganore duke thënë se ka marrë garanci nga pala serbe se marrëveshja do të respektohet.
Edhe në këtë pikë, Cooper është munduar të arsyetojë pak palën serbe.
“Implementimi, le të themi se nuk është perfekt, veçmas për shkak se do të duhej të ndërtoheshin sisteme të reja, ka pasur disa vonesa burokratike, probleme me legjislacionin”, ka thënë ai.
“Delegacioni serb më siguroi se ato tani kanë përfunduar dhe se mallrat që qarkullojnë në ose përmes Serbisë do të pranohen me vulat doganore të Kosovës, pa ndonjë vështirësi”, ka shtuar Cooper.
Lehtësuesi europian, çështjet e vulave i konsideron punë të kryer.
“Tani ka një mundësi të vërtetë për njerëzit në Kosovë që duan të eksportojnë gjëra në Serbi ose përmes Serbisë diku tjetër. Rruga tani është e hapur me rregulla normale të CEFTA’s, me vula doganore të Kosovës, sipas marrëveshjes. Mendoj se të dyja palët mund të përfitojnë nga kjo... pala serbe, bizneset.... tani janë duke ecur mirë pas kthimit të tregtisë normale dhe tani është një mundësi për Kosovën që të ndërtojë tregtinë që nuk e ka pasur më herët”.
Për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, Cooper ka komentuar shkurt duke thënë se “ka pasur një trafik të madh për shkak se kemi pasur një pauzë të vogël në kontinuitetin tregtar”.
Pala kosovare, po ashtu përmes një njoftimi, ka bërë të ditur për takimet që ka pasur me Robert Cooperin dhe përfaqësuesin e SHBA’së, Philip Reeker.
Në njoftim thuhet se fajtore për dështimin e këtij raundi është pala serbe.
“Në këtë takim, u konstatua se ky raund i dialogut u anulua me fajin e palës serbe, e cila u tërhoq nga dialogu pas dështimit për të imponuar bisedat për çështjen e pikave doganore, duke shkelur më këtë rast obligimet e marra nga Rezoluta e AP të OKB’së për dialogun dhe parimet europiane”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se udhëheqësja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri ka pasur kërkesa specifike për ndërmjetësit e dialogut.
“Delegacioni i Kosovës potencoi në mënyrë të veçantë se çështja e implementimit të marrëveshjeve duhet të shoqërohet me një sistem masash detyruese për palët në dialog, ku do të precizohen afatet kohore si dhe masat e stimulimeve dhe ndëshkimeve për palët në rrugën e përparimit drejt BE’së. Një qasje e tillë do ta fuqizojë dialogun si dhe do t’i bëjë të pamundura pengesat dhe obstruksionet e palës serbe ndaj dialogut”, ka njoftuar Qeveria.
Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic ka dhënë po ashtu versionin e tij të ngjarjeve në Bruksel.
Ai ka thënë se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës mund të vazhdojë vetëm pas zgjidhjes së krizës në Veri të Kosovës.
Sipas Stefanovicit, këtë çështje duhet ta zgjidhin Serbia –BE’ja dhe SHBA’ja, derisa për gjendjen në Veri ka akuzuar autoritetet në Prishtinë dhe ata që e kanë mbështetur atë.
“Ata që i kanë mbështetur hapat e dhunshëm të Prishtinës kanë dashur ta izolojnë Serbinë dhe të tregojnë se Beogradi nuk është për marrëveshje, përkundrazi Serbia është e gatshme për marrëveshje kudo dhe kurdoqoftë”, ka thënë ai.
Kryenegociatori serb ka folur edhe për një proces politik të bisedimeve.
“ Ne jemi të gatshëm për një zgjidhje sistemore të problemit të Kosovës, duke përfshirë edhe Veriun e Kosovës”, ka thënë ai.