E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova lëkundet nga një tërmet i fortë

Në disa shkolla të kryeqytetit dhe të rrethinës u ndërpre procesi mësimor, ndërkohë që edhe edhe punëtorët e ministrive të vendosura në ish-ndërtesën e Pallatit të Shtypit janë larguar nga objekti.

Një orë pasi ndodhi tërmeti, me një komunikatë zyrtare Rrjeti Sizmologjik i Kosovës ka njoftuar se sot, në orën 14:38 minuta, sipas orës lokale, sizmografët e Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, detektuan tërmet me epiqendër 6 kilometra në juglindje të Istogut. Magnituda e tërmetit ishte M=5.2 shkallë të Rihterit, ndërsa intensiteti në epiqendër VII ballë sipas MCS-64 thellësia 5.2 km. Tërmetin e kanë ndier banorët e rrethit të gjerë të Pejës, Burimit dhe tërë territori i Kosovës. Sipas kësaj komunikate, ende nuk dihet për dëme eventuale në njerëz dhe materiale.

Entit sizmologjik i Beogradit, fillimisht, vetëm pak çaste pas tërmetit ka njoftuar se epiqendra e tërmetit ishte në rajonin e Zubin Potokut, 15 kilometra në veriperëndim të Mitrovicës. Fuqia e tërmetit që u ndje në qytetet e Kosovës dhe në rajon, në epiqendër ishte 5 shkallë Rihter, njoftuan mediet serbe. Edhe Enti Sizmologjik nga Beogradi në ndërkohë ka njoftuar se epiqendra e tërmetit është në rajonin e Istogut. Po në të njëjtën kohë, dridhja e tokës, siç ka njoftuar korrespondenti i Koha Ditore në Pejë, është ndje edhe në Dukagjin.

Kjo lëkundje ka shkaktuar panik në mesin e dukagjinasve, ndërsa punëtorët e shumë institucioneve kanë lëshuar objektet. Tërmeti i intensitetit të ulët është regjistruar të mërkurën rreth orës 14:40 edhe në një pjesë të madhe të territorit të Komunës së Malishevës. “Brenda shtëpisë vërehej qartazi lëvizja e papritur e gjësendeve nga vendi i vet”, thotë Bajram Morina nga fshati Drenoc. Edhe banorë të tjerë të këtij fshati e konfirmojnë fenomenin shqetësues, ka njoftuar korrespondenti i Kohës Ditore.

Disa nga banorët kishin ikur me të shpejtë jashtë shtëpive. Aty thuhet se edhe drunjtë janë hetuar duke lëvizur me të madhe në kohën e tërmetit. Edhe Brahim Morina nga Lubizhda ka konfirmuar dridhjen. “Ndodhi ajo që ma kujtoi dikund fundin e viteve të shtatëdhjeta dhe duke kujtuar tërmetet aktuale nëpër botë druajtja ishte normale”, ka thënë ai. Një banor i Kijevës, fshat në jug-perëndim të Malishevës, ndërkaq ka folur për një dridhje më të fuqishme krahasuar me vendet tjera të komunës. “Krejt orenditë gati u rrëzuan”, ka thënë ai. Edhe qendrën komunale të Malishevës, e ka trandur tërmeti i papritur, sado që ka qenë i intensitetit të ulët. “Në katin e dytë të ndërtesës ku isha unë tavolina lëvizte bukur shumë”, ka bërë me dije një punëtor i administratës komunale të Malishevës ku një numër i madh të punësuarish kanë dalë jashtë me të hetuar dridhjet.

Përveç panikut që ka përhapur nuk ka informacione për ndonjë dëm të cilido natyrë. Sipas njoftimeve, edhe pse epiqendra e Termetit ka qenë në Istog, ku sipas njoftimeve të korrespondentit të gazet të Koha Ditore, “është shënuar dridhje të fuqishme e Tokës”, në këtë rajon nuk ka pasur dëme materiale në objektet e banimit dhe as në njerëz. Megjithatë, shumë banorë të qytetit dhe të fshatrave për rreth nga frika , për një çast, kanë dalë jashtë ndërtesave të banimit dhe këtë ngjarje e kanë përjetuar keq. “Dridhja ka qenë e fuqishme dhe nga frika kemi dalë jashtë me të gjithë punëtorët” thotë Zeqir Mehmetaj nga Istogu. Sipas informacioneve, tërmeti është ndje edhe në Shkup dhe në rajonet veriore të Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›