E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova luftë tregtare me Shqipërinë, preferon mallrat serbe

Eksportuesit shqiptarë: Tarifa doganore është rritur në 80 euro, zerohen fitimet. Bizneset kosovare: Lobe të caktuara përkrahin Serbinë të monopolizojë tregun kosovar.

Eksportete me KosiovenNjë luftë tregtare e kanë quajtur dje bizneset shqiptare dhe ato kosovare, atë se çka po ndodh prej 1 gushtit në doganën kosovare. Kjo e fundit ka rritur në maksimum tarifat doganore për mallrat shqiptare që eksportohen në Kosovë, kryesisht materiale të ndërtimit. Ndryshimi i tarifave po i kushton çdo kamioni mallrash jo pak por 80 euro në ditë, çka i ka detyruar prodhuesit shqiptarë por edhe ata kosovarë që të hidhen në protestë dy ditë më parë.

Apeli i bizneseve

Shqetësimi i rritjes së tarifave doganore, është ngritur edhe dje nga Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë, që së bashku me përfaqësues të biznesit kosovar janë mbledhur në Tiranë duke i bërë apel të dyja qeverive që të heqin barrierat tregtare Shqipëri-Kosovë. Në unanimitet prodhuesit kanë shpjeguar se kostoja shtesë prej 40 euro për çdo ditë qëndrimi në terminal në pritje të zhdoganimit, ka ulur nivelin e eksporteve të materialeve të ndërtimit drejt Kosovës. Bizneset e dy shteteve kërkojnë nga qeveritë përkatëse, ndërhyrjen për t’i dhënë zgjidhje situatës, që shkel marrëveshjet e tregtisë së lirë.

Kosto shtesë

“Problemi në thelb është se që nga data 1 gusht nga doganat kosovare janë aprovuar disa masa të reja proceduriale për zhdoganimin e mallrave që vijnë nga Shqipëria ku çdo kamion duhet paraprakisht të kalojë në një terminal doganor. Nuk është një pagesë ndaj qeverisë së Kosovës, nuk është një pagesë për qytetarët e Kosovës, është një pagesë për disa biznesmenë”, tha Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë. Kjo tarifë prej 40 euro e aplikuar nga ana e autoriteteve kosovare dhe ajo prej 39 euro që paguhet në doganën shqiptare për skanimin e çdo kontenieri, është një kosto e rritur edhe për konsumatorët.

Bizneset kosovare

Përfaqësuesit kosovarë deklarojnë se e gjithë kjo behët nga lobe të caktuara në Kosovë, që dirigjojnë politikën serbe dhe qeveria e Kosovës ju shkon pas. “Kosova ishte e okupuar prej Serbisë për 100 vjet dhe strukturat që janë ndërtuar sipas interesave në Kosovë, nuk do të zhbëhen për 24 orë. Është një lob i njerëzve që nuk mund ta konceptojnë faktin që produktet shqiptare të jenë në tregun kosovar. Qeveria jonë është e prekur nga lobe të caktuara të interesit. Për shkak të korrupsionit ka devijime”, tha Hyzer Gashi, importues nga Kosova.

Kërkesat

Prodhuesit shqiptarë të materialeve të ndërtimit kërkojnë nga qeveria e re heqjen e doganës mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Ne kërkojmë me forcë që qeveria e re ta zhdukë doganën me Kosovën”, tha Zef Shtjefni, prodhues shqiptar i materialeve të ndërtimit. Sipas eksportuesve tarifa e paguar në terminal po dëmton eksportet shqiptare, e cila zë rreth 25% të tregut kosovar, ndërkohë që pjesën tjetër tregu kosovar e siguron nga Serbia, mall i cili më së shumti nuk paguan detyrime fiskale për të hyrë në Kosovë.

Protesta

Ditët e fundit në pikën kufitare të Morinës sipas Këshillit Organizativ të Protestës mbi 250 makina janë të bllokuara. Më shumë se 150 kompani shqiptare dhe kosovare janë bashkuar duke ngritur zërin në zonën neutrale të doganës së Morinës, për të kundërshtuar kështu politikën që po ndiqet ndaj tyre, e cila ka shtuar koston me të paktën 100 euro për kamion.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›