E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova mirënjohje për NATO-n, 13 vjet pas bombardimit

PRISHTINE-Sot mbushen 13 vjet që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi pikat ushtarake e policore serbe, për t’i dhënë fund dhunës së regjimit të Sllobodan Milloshevicit ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Fushata e NATO-s që zgjati 78 ditë, është vlerësuar nga liderët e institucioneve të Kosovës si jetike për popullin kosovar.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga,u shpreh se përvjetori i 13-të i intervenimit të NATO-s në Kosovë “për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj, e ka simbolikën e ndihmës dhe të përkrahjes në momentet më të vështira të historisë, në kohën kur popullsia shpërngulej me dhunë, kur kanosej të kryhet gjenocid mbi një popull të tërë”.

Sulmet ajrore të forcave të NATO-s cilësohen si humanitare për qëllimet e tyre si civilizuese dhe njerëzore në ruajtje të paqes dhe stabilitetit në efektet e tyre politike, ka thënë presidentja, për të shtuar se “Aleanca Veri-Atlantike në përvjetorin e saj të 50-të e dëshmoi se është e aftë të ndërmarrë operacione të suksesshme në mbrojtje të paqes dhe në mënjanim të hegjemonisë, shtypjes dhe diktaturës”.

“Populli i Republikës së Kosovës ndien respekt dhe nderim të veçantë për gjithë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të Aleancës Veri-Atlantike, NATO, që duke mbrojtur parimet e lirisë, barazisë dhe demokracisë, dolën kundër një regjimi shtypës në mbrojtje të qytetarëve të pafajshëm duke vendosur vlerat civilizuese në këtë pjesë të Evropës”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

“Ne, në përvjetorin e 13-të ndiejmë admirim për gjithë ata burra dhe gra ushtarë dhe oficerë të forcave ushtarake të NATO-s që për 78 ditë me radhë u përkushtuan për jetësimin e parimeve, në të cilat ata besonin dhe që për ne, si popull, kjo ishte vetë jeta”, thuhet në deklaratë, e cila përfundon me një falënderim për trupat e NATO-s si dhe me dëshirën që Kosova të bëhet shpejt pjesë e NATO-s.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një fjalim të mbajtur për nder të këtij përvjetori, ka thënë se fushata e NATO-s mbi caqet serbe kishte rëndësi më të thellë se të intervenimit humanitar dhe të stabilitetit rajonal.

“Nga përmasat e krimit të kryer në Kosovë dhe të shpërnguljes së një milion banorëve të saj, u tronditën Uashingtoni e Brukseli, Parisi, Londra, Boni dhe Roma. Ndërgjegjja e botës demokratike, besnike ndaj parimeve themelore të së drejtës për liri, barazi, dinjitet, paqe dhe demokraci, reagoi në mbrojtje të Kosovës. Është meritë e qendrave të demokracisë botërore, që mekanizmin më të fuqishëm ushtarak të globit, Aleancën Veri-Atlantike, NATO-n, e vunë në lëvizje për ta mbrojtur popullatën e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera, kryeministri Hashim Thaçi.

“Për të ardhur deri te momenti i fillimit të bombardimeve, më 24 mars 1999 diplomacia botërore kaloi nëpër sprova dhe sfida të mëdha. Falënderuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteteve të Evropës Perëndimore dhe vendosmërisë së liderëve politikë të këtyre vendeve, para 13 vitesh filloi fushata më e suksesshme ushtarake e NATO-s, që kulmoi me dorëzimin e makinerisë luftarake të Millosheviqit”, ka theksuar kryeministri Thaçi, duke bërë meritore për këtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Evropës perëndimore, anëtare të NATO-s.

“Sot, në 13-vjetorin e fillimit të bombardimeve për të gjitha këto shtete dhe qeveritë e tyre, si dhe liderët e atëhershëm - shprehim mirënjohje, falënderim dhe konsideratë të veçantë. Sot pas 13 vjetësh, Kosova është shtet i pavarur i njohur nga 89 shtete, ndërkaq NATO vazhdon të ruajë një prani të trupave të saj në vend, ndërkaq ka marrë përsipër trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

“Kosova është shtet i ri, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon me perspektivë të sigurt në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Thaçi.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Qeveria shqiptare: Bombat kapitulluan Sadamin e Beogradit Bombat e NATO-s në Serbi, Rama: I hapën rrugë lirisë së Kosovës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›