Kosova ndalon importet "Made in Serbia"
Duke filluar nga dje, Kosova nuk do të importojë asnjë produkt "Made in Serbia ", ndërsa për mallrat e Bosnje Hercegovinës do të aplikohet një takse prej 10 %. Kjo masë është marrë nga qeveria për shkak se, Serbia vendosi te tërhiqet deri në shtator nga bisedimet me Kosovën, ku pritej te arrihej një marrëveshje për njohjen e vulave te doganës kosovare, të cilat nuk pranohen nga Serbia dhe Bosnja. Deklarata është bërë nga ministrja e Tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari-Lila. Edhe pse janë pjesë e marrëveshjes së Ceftas, Serbia dhe Bosnjë Hercegovina nuk e kanë zbatuar marrëveshjen për tregti të lirë mes vendeve të rajonit. Të dyja vendet kanë bllokuar prej disa vitesh produktet “made in Kosova”, duke i shkaktuar humbje kësaj të fundit për shkak të ndalimit të eksportit të mallrave drejt Serbisë dhe Bosnjës. Të martën, ndërmjetësuesi i BE-së në këto negociata, Robert Kuper tha se raundi i gjashtë bisedimeve Serbi-Kosove është shtyrë për në shtator.