E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kosova" në Këshillin e Sigurimit

Këshilli i Sigurimit diskutoi dje raportin e sekretarit të Kombeve të Bashkuara për gjendjen në Kosovë, raport i publikuar ditë më parë. I pranishëm në mbledhje ishte edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili paraqiti një raport para anëtarëve të Këshillit. Ai paraqiti kërkesën e institucioneve të Kosovës për përfundimin e misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK. "Kërkojmë përfundimin e misionit dhe të mandatit të UNMIK-ut. Vendosja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, në pajtim me mandatin, është ngjarje kyçe e periudhës mes të dy sesioneve të Këshillit të Sigurimit për Kosovën", tha Hyseni. Ai, gjithashtu, prezantoi gjendjen reale në Kosovë dhe ndikimet negative të Beogradit. Në raportin e Sekretarit Ban Ki-moon, thuhet se kosovarët po e kundërshtojnë Rezolutën 1244, duke e konsideruar të parëndësishme dhe jo obliguese. Prandaj, tha ai, duhet të intensifikohet procesi i rikonfigurimit të këtij misioni dhe të përfundojë deri në muajin qershor, kur realisht mbushen 10 vjet të funksionimit të saj në Kosovë. Dokumentit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së i është bashkuar si aneks edhe raporti i parë i EULEX-it, që e ka dërguar në Nju Jork përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Javier Solana. Në këtë raport katërfaqesh, EULEX-i njofton për funksionimin e misionit në tërë Kosovën dhe aktivitetet e zhvilluara deri tani në fushën e sundimit të ligjit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›