Kosova në paralelet ruse për Gjeorgjinë
Ndërkohë që situata luftarake është ende e paqartë, mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, kjo e fundit, (padrone tradicionale e osetiano-jugorëve) ka filluar një luftë paralele propagandistike dhe mediatike. Kjo nuk do ta bëjë më të lehtë gjetjen e një zgjidhjeje politike në këtë konflikt. Ndoshta konflikti mund të çojë edhe më tej procesin e tëhuajëzimit mes Perëndimit dhe Rusisë.
Presidenti gjeorgjian, Sakashvili e paraqet ndërmarrjen e veprimeve ushtarake kundër regjimit në Osetinë jugore si një aksion legjitim. Dhe nga njëri këndvështrim juridik nuk është se nuk ka të drejtë. Sepse formalisht Republika e Osetisë jugore, e panjohur ndërkombëtarisht, i përket shtetit të Gjeorgjisë, edhe pse Tbilisi faktikisht e ka humbur kontrollin aty që prej 15 vjetësh. Banorët ndërkohë kanë të gjithë pasaporta ruse.
Interesante të ndjekësh se si Sakashvili, si argument për ofensivën ushtarake përdor të njëjtat parulla me të cilat Rusia ka justifikuar ndërhyrjen e saj në Çeçeni. "Rivendosje e rregullit kushtetues" në Gjeorgji. Sipas Sakashvilit ndërhyrja ruse në Osetinë jugore është deklarim luftë ndaj Gjeorgjisë dhe një përzierje në çështjet e brendshme të një shteti sovran fqinj. Ai shpreson në mbështetjen e Perëndimit, veçanërisht të amerikanëve, kundër agresorit rus, sipas tij.
Gati në të njëjtën mënyrë përpiqet ta argumentojë edhe Rusia politikën e saj. Duke u mbështetur tek argumentimi që i bëri Perëndimi ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, në mbrojtje të kosovarëve, politika ruse e paraqet ndërhyrjen e saj në Gjeorgji si një "intervenim humanitar". Nga ana tjetër, Moska thotë se duhet të mbrojë "jetë ruse" dhe të përforcojë trupat e paqes.
Edhe sikur të çalojë krahasimi mes intervenimit të NATO-s në luftën në Kosovë, ku u bë fjalë për pengimin e gjenocidit ndaj kosovarëve dhe ndërhyrjes ruse, prapë formula e intervenimit humanitar nga pala ruse zë vend me qëllim që të justifikohen bombardimet e qyteteve gjeorgjianë dhe infrastrukturës.
Dhe në rast të një intervenimi ushtarak të suksesshëm në Osetinë jugore, po sipas skenarit të Kosovës, arsyetohet pavarësia e Osetisë jugore dhe bashkimi i mëvonshëm me Rusinë. Po t’u vësh veshin "urra" -ve dhe atmosferës patriotike në Rusi, një fund i tillë i këtij skenari do të gjente mbështetje në shoqërinë ruse, e cila ende është e traumatizuar nga rrëzimi i Bashkimit Sovjetik.
Se si do të marrë fund ushtarakisht konflikti dhe se si do të jenë zhvillimet e ardhshme politike nuk bëhet dot aktualisht si profeci. Por një gjë është e qartë: Të dyja palët kanë mësuar nga njëra-tjetra, por nuk kanë kuptuar asgjë. Tëhuajëzimi mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, mes Rusisë dhe Perëndimit, do të thellohet edhe më tej me luftën në Osetinë Jugore.
*Autori është i dërguar i shtypit gjerman në Tbilis, Gjeorgji