E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nënshkruan marrëveshjen për ripranim me Finlandën

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi dhe ministrja e Punëve të Brendshme të Republikës së Finlandës, Paivi Rasanen, nënshkruan Marrëveshjen për ripranim në mes të dy shteteve.
 

Nënshkrimi i Marrëveshjes për ripranim me Republikën e Finlandës u bë në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ministri Rexhepi, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes për ripranim është vazhdimësi e punës së MPB-së, në procesin e përmbushjes së kritereve për Liberalizimin e Vizave.
 

“Nënshkrimi i Marrëveshjes për ripranim me Finlandën është më tepër një bazë legale sepse nuk kemi probleme të ekstradimeve të njerëzve të cilët nuk e kanë rregulluar statusin e tyre në këtë vend. Megjithatë ne po i përmbushim obligimet tona në procesin e përmbushjes së kritereve për Liberalizimin e Vizave”, tha ministri Rexhepi.
 

Gjithashtu, ministri Rexhepi falënderoi Republikën e Finlandës për përkrahjen dhe kontributin e dhënë për Republikën e Kosovës, duke shprehur gatishmërinë në bashkëpunime të mëtejme, me theks të veçantë në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit.
 

Edhe ministrja e Punëve të Brendshme e Finlandës, Paivi Rasanen, theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes për ripranim është pjesë e bashkëpunimit të mirë që kanë këto dy vende. “Më duhet të them që ne nuk kemi pasur ndonjë problem në Finlandë në këtë çështje, por, ne shohim se kjo është e njëjtë me marrëveshjet tjera në mes të Kosovës dhe shteteve të tjera të BE-së, që kanë rëndësi të madhe në njohjen më të gjerë të pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së”, tha ministrja Rasanen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›