Kosova nuk duhet penguar në rrugën drejt integrimeve

Analistët kosovarë vlerësojnë që Brukseli nuk duhet ta pengojë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian si rezultat i dialogut me Serbinë. Ata thonë se Qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë kushtet e përcaktuara nga BE-ja.
Njohësit e integrimeve, thonë se Kosovës i mbetet t’i plotësojë kushtet e parapara, e ndërkohë asnjë proces tjetër, as ai i dialogut, nuk duhet ta pengojë avancimin e saj drejt BE-së. Madje ata thonë se Kosova ka shprehur gatishmërinë që në fillim për të qenë pjesë konstruktive gjatë këtij dialogu, por është Serbia ajo që ka vështirësuar këtë proces, transmeton rtk. Njohësi i integrimeve evropianë Shenoll Muharremi thotë se nuk ka asnjë arsye që Kosova të pengohet.
“Unë nuk shoh se pse Kosova duhet të pengohet për të avancuar më tutje dhe Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë të qartë BE-së që nëse Serbia nuk e pranon marrëveshjen, Kosova nuk duhet penguar. Por, ne duhet te jemi të kujdesshëm sa i përket këtyre 12 kushteve teknike, për shkak se derisa Qeveria e Kosovës shprehet se i ka përmbushë të gjitha, në fjalimin e zotit Fyle në Kuvendin e Kosovës është bërë e qartë se ai e vlerëson nëse janë përmbushur apo jo kriteret”, ka thënë Muharremi.
Edhe analisti Ardian Arifaj, kërkon më shumë përkushtim nga institucionet e Kosovës për përmbushjen e kritereve, ngase sipas tij, edhe Prishtina zyrtare duke parë qasjen e Brukselit, ka filluar të besojë se për integrim, i mjafton vetëm konstruktiviteti në dialog.
“Me këtë qasje të Brukselit, edhe Prishtina ka filluar të besojë që ka për të mjaftuar se nëse je konstruktive në procesin e dialogut atëherë kemi për të fituar shpërblime prej Brukselit, pa i kryer shumicën e detyrave që i cakton Brukseli”, tha ai.
Përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është caktuar kusht nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë rrugën e integrimeve evropiane./Indeksonline/