E Diel, 1 Nëntor 2026

Frizeret shesin ilaçe

Shumë femra të reja, që duan të shtojnë peshë, sidomos para martesës, po u drejtohen salloneve të floktarisë, ku po gjejnë ilaçe që përdoren nga to për të shtuar peshë. Shumë sallone flokësh në Prishtinë, përveç shërbimeve për të cilat kanë marrë lejen e punës, ato shesin edhe ilaçe. Gazeta ka kontaktuar me pronaren e sallonit e floktarisë “Tina” në Prishtinë, ku kanë konfirmuar se ilaçin mund ta shesin për 25 euro.

Pronarja e këtij salloni, ka treguar se kombinimi i shurupit ‘Sipraktin’ dhe tabletave ‘Dekorte’ është një kombinim i “vitaminave natyrale”, përdorimi i të cilave bën zbukurimin dhe trashjen e vajzave. Gazeta Tribuna ka kontaktuar Inspektoratin e Farmacisë dhe ka provuar që bashkë me inspektorët të shkojë në këtë sallon, për ta blerë ilaçin, mirëpo në Inspektorat kanë thënë se nuk mund të bëjnë vizita në sallone flokësh për çështje të ilaçeve, derisa nuk kanë një ankesë prej pacientëve.

B.D, është një 22 vjeçare, emri i të cilës është i njohur për gazetën, ka treguar se ka blerë një terapi të tillë pikërisht tek një frizere në Prishtinë. “Unë jam shumë e dobët, shoqet më treguan për një frizere e cila shet vitamina për të shtuar peshë dhe unë shkova i bleva”, ka thënë ajo. Vajza, vërtet kishte shtuar peshë, mirëpo pas ndërprerjes së terapisë, për disa ditë, ishte kthyer në gjendjen fillestare. “E kam përdorur sepse frizerja më ka siguruar që ato vitamina janë bimore”./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›