E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nuk është burim i trafikimit të qenieve njerëzore

Deklarata e zëvendësministrit Xhelili erdhe gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Brazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione. Duke iu referuar arritjeve në këtë ministri, veçanërisht implementimit të strategjisë në lidhje me këtë fushë, zëvendësministri Xhelili tha se Kosova renditet në vendin e dytë për veprimet kundër trafikimit me qenie njerëzore.

“Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, janë kontrolluar 335 lokale të dyshimta, nga të cilat 36 nga to janë mbyllur. Ndërkaq, duke iu referuar statistikave të PK-së mbi trafikimin e qenieve njerëzore, në vitin 2008 janë evidentuar 28 raste, në vitin 2009 janë evidentuar 22 raste dhe në vitin 2010 ka 15 raste”, deklaroi zëvendësministri I Punëve të Brendshme.

Po ashtu, zëvendësministri Famir Xhelili dha një pasqyrë edhe mbi dukurinë e lypsarëve, që në Kosovë është përhapur mjaft këto vitet e fundit. Në lidhje me këtë, ai u shpreh se, numri i tyre është jo i vogël, dhe ç'është edhe më shqetësuese, ata janë edhe të mitur. Në vazhdim Xhelili tha se numri më i madh i tyre është konstatuar se vijnë nga Republika e Shqipërisë, dhe për këtë jemi duke biseduar në nivel të ministrive përkatëse.

Më pas, anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh, ku ndër më të rëndësishmet sipas tyre ishte Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan, duke e vlerësuar atë si jo të favorshëm për Kosovën. Zëvendësministri, pasi informoi anëtarët e komisionit me parametrat që merren në kategorizimin e shteteve në këto raste, ku Kosova klasifikohet në mesin e shteteve të zhvilluara si, Zvicra, Turqia etj., tha se, raporti është real dhe i favorshëm, duke theksuar se ka edhe gjëra të pasakta me të cilat nuk pajtohet MPB-ja.

"Kosova nuk është burim i trafikimit me qenie njerëzore", theksoi Xhelili, duke shtuar se edhe numri i lypsarëve është i paraqitur jo realisht. Në fund, zëvendësministri i njoftoi anëtarët e komisionit për Strategjinë e Re kundër trafikimit të qenieve njerëzore duke theksuar se, model i luftës kundër kësaj dukurie do të merret Anglia, Norvegjia dhe Suedia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›