E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pa kufij me fqinjët 17 muaj pas pavarësisë

 

Rreth një vit e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Republika më e re në Evropë nuk ka ende të përcaktuara vijat kufitare me shtetet fqinje. Sipas zyrtarëve kosovarë, puna në këtë drejtim vazhdon, por autoritetet e rendit vlerësojnë se mos-përkufizimi i vijës kufitare paraqet problem si për vetë ata, ashtu dhe për banorët. Përfaqësuesit e institucioneve kosovare thanë se janë në kontakt me shtetet fqinje, përveç Serbisë, për të punuar me këtë çështje. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pohoi se autoritetet janë në përfundim të përcaktimit të vijave definitive kufitare me Maqedoninë, por me Malin e Zi ekziston vetëm bindja se bisedimet do të fillojnë së shpejti. Problemi më i madh në këtë drejtim paraqitet në kufirin me Serbinë. “Kosova i ka kufijtë e vet, por këta kufij duhet të ratifikohen, duhet të rishikohen dhe të bëhet një saktësim i kësaj hapësire të Kosovës. Ndoshta kjo mund të jetë një nga arsyet pse Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së. Eshtë në përfundim vendosja e kufijve me Maqedoninë dhe mendoj që kjo shpejt do të ndodhë, pastaj do të fillojë me Malin e Zi. Nuk besoj që me Shqipërinë do të ketë probleme. Problemet më të gjata dhe më të vështira për të bërë demarkacionin, Kosova do t’i ketë me Serbinë”, tha Krasniqi. Edhe përfaqësuesit e policisë kufitare të Kosovës konsiderojnë se problemet më të mëdha në demarkacionin e kufijve të Kosovës me shtetet që e rrethojnë, do të jenë me Serbinë, pasi përveç arsyeve politike, me Serbinë, Kosova ka 380 kilometra e 38 metra vijë kufitare, më e gjata me shtetet fqinje. Ka edhe fshatra përtej kufirit që flasin shqip dhe pozita gjeografike dhe e reliefit do të hapin probleme.
(Evropa e Lirë)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›