Kosova, përfaqësohet nga Shqipëria në vendet ku s`ka konsullat
Në atë shtet ku Kosova nuk ka konsullatë, përfaqësimin diplomatik do ja mbulojë Shqipëria dhe anasjelltas. Kjo është marrëveshja më e re e dy vendeve, Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për përfaqësimin konsullor.
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë njoftoi se Marrëveshja u nënshkrua sot nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj.
Ky parim i përfaqësimit reciprok mbështetet në praktikën e së drejtës ndërkombëtare të pasqyruar në nenin 8 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet konsullore.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm pasi palët të njoftojnë për plotësimin e procedurave të tyre të brendshme ligjore.