E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova përgatitet për vizitën e nënpresidentit Bajden


Autoritetet në Kosovë po i bëjnë përgatitjen e fundit për vizitën e nënpresidentin amerikan Josef Biden. Zoti Biden nesër në mëngjes pritet të mbërrijë në Aeroportin e Prishtinës, prej nga do të nis vizitën e tij në Kosovë.

Udhëheqësit në Prishtinë e cilësojnë me rëndësi historike këtë vizitë e cila sipas tyre, konfirmon edhe njëherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Kryeministri Hashim Thaçi, u bëri sot thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e mikpritjes për nënpresidentin amerikan Josef Biden. "Kjo vizitë është edhe historike dhe vizitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është vizitë e mesazhit edhe për të ardhmen që do të vazhdojnë si mbështetje e fuqishme nga Washingtoni për shtetin e ri të Kosovës, për shtetin e suksesshëm”, thotë kryeministri Thaçi,

Në prag të vizitës së nënpresidentin amerikan Josef Biden, Rrugën e Prishtinës janë dekoruar me flamuj të Kosovës dhe flamuj amerikan. Qytetarët ndërkaq thonë se do të dalin ta presin nënpresidentin amerikan Biden në shenjë falënderimi për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i akne dhënë Kosovës në ndërtimin e saj si shtet. "Vizita e nënpresidentit amerikan është mbështetje e radhës që Amerika i jep Kosovës. Ne i kemi borxh Amerikës dhe popullit të saj për gjithë ndihmën që na kanë dhënë, andaj zotin Biden duhet ta presim si na ka hije”, thotë një qytetar nga Prishtina.

"Vizitën e zotit Biden e shoh si mbështetje të vazhdueshme të qeverisë dhe popullit amerikan për Kosovën. E presim si mikun më të mirë. Gjithmonë do të jetë i mirëseardhur ai dhe të tjetër që vijnë me qëllime të tilla”, thotë një qytetar tjetër.

Ndërsa qytetarët shqiptarë në Prishtinë e presin me admirim vizitën e nënpresidentit amerikan Joseph Biden, qytetarët serbë në veri të Kosovës kanë paralajmëruar për nesër protestë kundër kësaj vizite.

Që nga përfundimi i luftës, Kosovën e kanë vizituar dy Presidentë të Shteteve të Bashkuara. Në nëntor të vitit 1999, Presidenti Bill Klinton vizitoi qytetin e Ferizajt, ndërsa dy vjet më vonë, në verën e vitit 2001, Presidenti George Bush vizitoi ushtarët amerikan në kuadër të KFOR-it në kampin ‘Bondsteel' në afërsi të Ferizajt. Vizita e nesërme e nënpresidentit amerikan Josef Biden, shënon ndërkaq vizitën e nivelit më të lartë politik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›