E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini, si Ramizi, peng i karriges dhe i tredhur nga lejet e ndërtimit

Reagon PD-ja, pas shpalljes së listës së kandidatëve të PS-së për zgjedhjet Selia blu e cilësoi si një dështim të vërtetë listën e kandidatëve për deputetë të Partisë së Socialiste, të shpallur dje në mesditë nga Edi Rama. Duke mos përfshirë veten si lider i një partie politike, më e madhja në opozitë, në listat e kandidatëve të PS-së, Edi Rama tregoi edhe njëherë se është peng i aferave të tij korruptive në bashkinë e Tiranës dhe njëherazi i kastruar rëndë nga lejet e ndërtimit, e kësisoj i duhet karrigia për të mbuluar gjurmët pista. Zëdhënësja e Partisë Demokratike deklaroi dje se kreu i PS-së Edi Rama përsëriti vitin ’91 të Ramiz Alisë, kur ai për të mos humbur karrigen e Presidentit hapi garën elektorale pa përfshirë Sekretarin e Parë të Partisë politike që drejtonte. “Edi Rama pas 20 vitesh pluralizmi vendosi të shpallë garën elektorale të Partisë Socialiste pa udhëheqësin e saj. Edi Rama përsëriti vitin 91 të Ramizë Alisë kur ai për të mos humbur karrigen e Presidentit hapi garën elektorale pa përfshirë Sekretarin e Parë të Partisë Politike që drejtonte. Me vendimin për të mos udhëhequr garën e Partisë së tij, Edi Rama u tha socialistëve shqiptarë se dasma e tyre elektorale do të jetë një dasmë pa dhëndër, mbasi atë e kanë kastruar lejet e ndërtimit”, deklaroi zëdhënësja e PD-së. Sipas saj, të nisësh garën duke mos qenë i zoti të japësh dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të bashkisë në emër të interesave më të mëdha të anëtarësisë dhe mbështetësve të Partisë tënde, do të thotë jo vetëm të vendosësh një standard që s’ka ekzistuar kurrë në vendet e lira po të thotë të firmosësh publikisht kapitullimin dhe e bën këtë vetëm e vetëm për interesat e karriges bashkiake. “Duke dënuar me forcën më të madhe këtë qëndrim primitiv, arkaik prej frikacaku të Edi Ramës, PD garanton zgjedhësit shqiptarë se programi i saj elektoral do të mishërojë interesat dhe aspiratat e tyre. Kurse për sa i përket listës së deputetëve të cilën Rama nuk guxoi as ta komentonte publikisht para shqiptarëve, listë në të cilën mungon kryetari dhe ish-kryetari i saj mendoj se komenti më i përshtatshëm është të mos e komentosh. Është listë e dështimit të plotë e të sigurt të Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›