Sllovenia mbështet zbutjen të regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor deri në fund të këtij viti
TIRANE - Shefi i diplomacisë sllovene, Samuel Zbogar, njoftoi dje se beson në një zbutje të regjimit të vizave të Bashkimit Evropian (BE) në Ballkan deri në fund të vitit. “Ne mendojmë për një liberalizim të regjimit të vizave për të paktën një vend (të Ballkanit) deri në fund të vitit”, deklaroi ai në kuadër të një takimi bashkëpunimi rajonal në Brdo Pri Kranju pranë Lubjanës.
“Ne mendojmë se diskutimet e para do të hapen nën presidencën çeke, që përfundon në fund të qershorit”, saktësoi ai.
Zbogar nuk e përmendi emrin e vendit që mund të përfitojë nga kjo masë, e cila duhet të konsistojë fillimisht në një heqje të detyrimit të vizave për qëndrimet më pak se tre muaj.
Qytetarët e Shqipërisë, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi, pretendojnë për një regjim të lehtësuar vizash deri në fund të vitit 2009.
Serbia deklaroi zbutjen e regjimit të vizave me 27 vendet si prioritet në marrëdhëniet me BE-në. Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Brukselit janë kundërshtuar nga vetoja holandeze ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Stabilzim Asociimit (MSA) mes Serbisë dhe BE-së. Gjashtë vendet e Partneritetit Rajonal në Evropën Qendrore të mbledhura sot nënvizuan se dëshirojnë “një thjeshtim të komunikimit mes qytetarëve, përfshi edhe një liberalizim të vizave për shtetet e rajonit dhe bursa të reja për studentët”, përmblodhi Zbogar.
Homologu i tij austriak, Michael Spindelegger, nënvizoi ndër të tjera se për vendet e Partneritetit “perspektiva evropiane e secilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet e pakontestuar. Ajo është dhe mbetet motori i reformave në rajon”, shtoi ai.
Partneriteti rajonal përmbledh Austrinë, Hungarinë, Poloninë, Republikën çeke, Sllovakinë dhe Slloveninë, që të gjitha anëtare të BE-së.