E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Voskopojë: “Edi Rama, një turp për mbarë Evropën, shkeli rregullin qytetar”

Kreu i qeverisë garanton edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë se në vitin e parë, të mandatit të dytë, do të lëvizin pa viza në tërë Evropën si qytetarë të mirë të saj


Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në Voskopojë, ku inauguroi disa vepra publike, investime të buxhetit të shtetit. Nga zona turistike e Voskopojës, kreu i qeverisë deklaroi se kjo zonë e frekuentuar për turizmin malor, do të ketë së shpejti rrugën e re. Kryeministri tha para banorëve të Voskopojës se në katër vite qeveria e djathtë bëri të mundur që në sajë të reformave të thella ta nxjerrë Shqipërinë nga terri ku e kishin zhytur socialistët dhe ta kuadrojë në rrugën e integrimit drejt vendeve të zhvilluara perëndimore. Duke iu bërë thirrje për një rimandatim të Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se “ju uroj të rikthejmë 92-in në 28 qershor dhe për këtë kemi një mijë arsye”. “Të ngrihemi në lartësinë e vitit 92. Ne ishim burrat dhe gratë që donim NATO-n , ne sot jemi në NATO. Ne ishim burrat dhe gratë që donim BE-në. Ne sot kemi aplikuar për anëtar në BE. Ne ishim burrat dhe gratë që donim të lëviznim të lirë në Evropë, gjë të cilën ne, brenda vitit të parë të mandatit të dytë do ta bëjmë realitet. Ndaj le të bashkohemi rreth interesave tona fisnike, rreth qëllimeve tona të mëdha , qëllimeve më të mira, për veten tonë, për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë. Le ti lëmë opozitës bilbilat, boritë dhe mashtrimet”, tha shefi i ekzekutivit. Duke i’u referuar dorëzimit të listave partiake për në zgjedhje, kryeministri Berisha tha se Rama duhet të ishte në krye të listës së partisë së tij, sepse siç theksoi kryeministri, rregulli qytetar kërkon që fushata të jetë simetrike. “Të dy palët politike duhet të kenë liderët e tyre, të mos bëjë gabimin fatal ta lësh fushën bosh, sepse do të jesh një turp, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Evropën. Ki kurajën, merr guximin shkëputu nga lejet e ndërtimit, dil në shesh, të dalim me alternativa dhe tu themi shqiptarëve se çfarë do të bëjmë ne në katër vitet që vijnë. Në konferencën e tij, u thoshte grave të reja se do tua bëjë lejen e lindjes 1 vit, ndërkohë që e kemi bërë që në vitin 1993. Nuk ka faj se nuk e di se ç’bën. Premtonte sot 197 mijë vende pune, por a mbani mend Fatos Nanon me premtimin për 200 mijë vendet e punës. Në këtë fushatë nuk kam ndërmend të merrem me të, ndaj të ecim së bashku, të marrim kartat e identitetit, të ndërtojmë rrugët, urat shkollat, ujësjellësit ,të zhvillojmë fermat tona, universitetet tona. Nuk kemi qenë kurrë ndonjëherë në këtë lartësi që jemi sot”, u shpreh Kryeministri. Këto katër vite, u shpreh kryeministri, besoj se të gjithë jemi dakord e kemi ndryshuar Shqipërinë dhe po vazhdojmë ta bëjmë këtë. “Ne kemi ndryshuar atë sepse pasi shembëm murin e krimit të dhe të korrupsionit, ia përmirësuam asaj imazhin dhe bëmë që të pranohet në NATO. E kemi ndryshuar Shqipërinë sepse me reforma të thella së bashku, me punë e mund dhe me djersë bëmë që 27 vende të BE në një kohë rekord të votojnë dhe firmosin MSA-në me Shqipërinë, bëmë që 27 vende të BE në kohë rekord, të pranojnë kërkesën tonë për anëtarësim të plotë në BE. Unë ju jap fjalën e nderit, se vitin e parë, të mandatit të dytë, do të lëvizni pa viza në tërë Evropën si qytetarë të mirë të saj”, garantoi shefi i qeverisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›