E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova përkujton 100-vjetorin e Nënë Terezës

PRISHTINë- Dita e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës në Kosovë u shoqërua sot me përurimin e pullës postare “100 vjetori i lindjes së Nënës Terezë (Gonxhe Bojaxhiu)”. Në vazhdim të veprimtarive, sot në Prishtinë në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës është hapur ekspozita e piktorit nga Shqipëria, Xhovalin Paci me piktura portretesh të humanistes së madhe dhe nobelistes shqiptare.
Përkujtimet për Nënë Terezën vazhdojnë gjatë gjithë 2010-tës, i shpallur nga Presidenti i Republikës “Vit i Nënës Terezë”, por ato nisën me një akademi solemne për 30-vjetorin e laurimit të saj me çmimin Nobel për Paqe.

Veprimtaria kulmore në Kosovë do jetë më 5 shtator në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, ku pritet të mbahet Mesha Pontifikale, udhëhequr nga Mons Zef Gashi, Arqipeshkëv i Tivarit dhe Delegat i Papës. Një nga veprimtaritë e rëndësishme në Kosovë ishte edhe tryeza kushtuar Nënës Terezës në seminarin e 29-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, i cili përmbyllet nesër në Prishtinë.

Në këtë tryezë u theksua se Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në gjithë botën si Nënë Tereza, e lindur më 1910, në Shkup, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Zotit, por edhe njerëzimit. Origjina, vendi e koha ku u lind, karakteri, orientimi, vepra dhe kontributi për njerëzimin e historinë shqiptare, janë tre faktorët kryesorë që e determinojnë figurën e Nënë Terezës, u vlerësua në këtë tryezë. Në Prishtinë, në shtator pritet të organizohet edhe një konferencë shkencore ndërkombëtare për jetën dhe veprën e Nënës Tereze, organizuar nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›