E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, realitet që i kontribuon stabilitetit në rajon

(E plotësuar) Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, të hënën në Tiranë është takuar edhe me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Presidenti Nishani vlerësoi lartë hapat e shtetit të Kosovës në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, të cilat, siç u shpreh Nishani, u njohën edhe nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Nishani rikonfirmoi angazhimin e tij institucional dhe personal në mbështetje të procesit të njohjes, të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë si dhe të integrimit të saj euroatlantik.

Në planin e bashkëpunimit dypalësh, kreu i shtetit shqiptar u shpreh se institucionet e të dyja vendeve duhet të shohin mundësitë e zgjerimit të bazës ligjore, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe të koordinimit të nismave me karakter rajonal e më gjerë.

Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, pasi e falënderoi presidentin Nishani për angazhimin e tij në mbështetje të shtetit të Kosovës, vuri në dukje se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka zgjeruar pavarësinë dhe sovranitetin mbi vendin dhe ka rritur përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.

“Publikimi i Studimit të Fizibilitetit për Kosovën nga Komisioni Evropian, që do të bëjë të mundur nënshkrimin e MSA-së, rrit bashkëpunimin e Kosovës me Brukselin, bashkëpunim që i shërben jo vetëm integrimit evropian por edhe njohjes së Kosovës nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Nishani dhe Hoxhaj ndanë mendimin se Kosova është një realitet që i kontribuon stabilitetit dhe bashkëjetesës në rajon dhe se politika e fqinjësisë së mirë dhe e dialogut janë parimet bazë të politikës rajonale të Shqipërisë dhe Kosovës.

Hoxhaj falënderon Berishën për përkrahjen e gjithanshme

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Kryeministri Berisha ka shprehur gëzimin e tij për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat.

“Ju përgëzoj zoti ministër, jam gëzuar shumë për njohjen e fundit që erdhi nga Timori Lindor. Ky shtet, njëjtë si Kosova, ka sakrifikuar shumë për pavarësi”, tha Berisha, duke shprehur mbështetjen e plotë dhe të fuqishme të Shqipërisë për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën.

Kryeministri i Shqipërisë po ashtu shprehu mbështetje për angazhimin dhe punën e fuqishme të institucioneve të Kosovës në rrugën evropiane.

Berisha ka shprehur përkrahjen e Shqipërisë edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke thënë se shtetet fqinje duhet t’i zgjidhin çështjet e hapura, bilateralisht.

Ai po ashtu vlerësoi marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, duke theksuar se kjo marrëveshje duhet të implemetohet sa më shpejt.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka informuar kryeministrin Berisha për progresin e vazhdueshëm në Kosovë, për njohjet e fundit si dhe për perspektiven integruese evropiane të Kosovës.

“Kam falënderuar kryeministrin Berisha për mbështetjen në procesin e njohjeve, në anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajone, evropiane dhe ndërkombëtare si dhe kemi biseduar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj: Bisedimet me Serbinë në bazë të Kushtetutës

Shefi diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë nga ku ka marrë vlerësime nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti për hapat e hedhur nga Kosova gjatë muajve të fundit.

"Kjo vizitë merr një kuptim të veçantë pasi ndodh në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë", tha Panariti.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë në dhënien e ekspertizë, për sa i përket proceseve integruese të Kosovës veçanërisht procesit të liberalizimit të vizave.

Hoxhaj tha se bisedimet me Serbinë janë duke u zhvilluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe një rezolute të miratuar nga Parlamenti.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, po ashtu ka theksuar se si dy shtete të pavarura, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë synojnë integrimin në strukturat euroatlantike.

“Ne kemi vetëm një agjendë, ajo është agjenda e rikthimit tonë në Evropë. Në rastin e Shqipërisë ky rikthim ndodh përmes dhënies së statusit kandidat, në rastin e Kosovës ky rikthim ndodh përmes nënshkrimit të marrëveshjes për stabilizim dhe asocim”, ka theksuar Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka vlerësuar mbështetjen e shtetit shqiptar në fushën e integrimeve evropiane.

“Ne synojmë liberalizimin e vizave ku Shqipëria ka një përvojë shumë të mirë dhe presim mbështetjen e shtetit shqiptar në këtë proces”, tha Hoxhaj, duke falënderuar Panaritin për mbështetjen që po jep Shqipëria në proceset e gjithëmbarshëm integrues të Kosovë në BE por edhe ne mekanizmat e tjerë rajonal e ndërkombëtar.

Hoxhaj ka veçuar po ashtu përkrahjen e madhe që Shqipëria po jep në procesin e sigurimit të njohjeve të reja për Kosovën.

Ndërkaq, temë tjetër e bisedës ndërmjet dy ministrave ka qenë edhe intensifikimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve.

Në këtë aspekt, ministri Hoxhaj ka shprehur zotimin e përbashkët për shkëmbime edhe më të mëdha ekonomike ndërmjet dy shteteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›