Kosova s’u frikësohet kurdëve
Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës nuk e bëjnë dert se kurdët, por edhe vendet tjera të papranuara në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), mund t’u prishin punë.
Në fakt, Kurdistani së bashku me Qipron Veriore dhe Tamils, Saharën Perëndimore dhe Darfurin po e presin me padurim vendimin e FIFA-s nëse do ta lejojë përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore për ta ndjekur më pas rrugën e Fadil Vokrrit me shokë, në mënyrë që t’u lejohet edhe atyre zhvillimi i ndeshjeve miqësore.
Me gjithë respektin që kanë për këto vende, drejtuesit e futbollit në vend konsiderojnë se ato nuk mund të krahasohen me Kosovën, e cila është përpara karshi tyre në të gjitha aspektet.
“Më parë ne kemi marrë pjesë në Kupën Botërore të vendeve që nuk janë pranuar nga FIFA, por viteve të fundit nuk jemi më pjesë e saj, nuk marrim pjesë më në turne të tilla. Ne nuk jemi në asnjë paralele me ta, nuk kemi kurrfarë ngjashmërie me asnjë shtet. Kosova është e njohur nga gjysma e botës, nga shtetet më demokratike”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu.
Ai beson se Kosova do të marrë përgjigje pozitive shumë shpejt, pasi që i ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të qenë e barabartë me vendet tjera, që janë nën ombrellën e FIFA-s dhe UEFA-s.
“Për dallim nga vendet tjera si Kurdistani etj., ne kemi hyrë në agjendën e UEFA-s dhe FIFA-s. Në përgjigjen që kemi marrë në vitin 2008 ishte se Kosova është vetëm çështje kohe se kur do të pranohet. Pranimin tonë nuk do të mund ta ndalë askush. Ne thjesht do ta thyejmë akullin, diçka do të bëhet. I vetmi problem është mosgatishmëria e disa shteteve që nuk e kanë njohur vendin tonë”, vazhdoi Salihu, dikur futbollist i njohur, por edhe trajner.
Ai beson se pasi Kosova t’i marrë edhe disa njohje nga shtetet e ndryshme, nuk do të ketë kurrfarë problemi të pranohet me të drejta të plota në dy institucionet më të larta të futbollit botëror.
“Ne kemi respekt ndaj çdokujt, por Kosova është rast unik. Asnjëri nga ato shtete nuk është i pranuar nga 90 shtete dhe ne jemi njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Tash presim një sinjal, ndërsa pas disa njohjeve tjera si shtet mund të ketë të tjera lajme të mira për ne”, përfundoi Salihu.
Kosova do ta marrë përgjigjen përfundimtare nga FIFA, nëse do t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore përfaqësueses, më 27 ose 28 shtator. Shtëpia e futbollit botëror kishte propozuar që Kosovës t’i lejohej një gjë e tillë muaj më parë, por kishte hasur në kundërshtimin e UEFA-s së udhëhequr nga Michel Platini. Udhëheqësit e futbollit kosovar besojnë fuqishëm se ka ardhur koha kur Kosova të mund të zhvillojë të paktën ndeshje miqësore.
Sido që të jetë, Kurdistani me miq do të jenë syhapur, duke e vëzhguar çdo hap që ndërmerr FIFA për ta gjetur Kosovën si inspirim dhe për ta ndjekur më pas rrugën e saj. Kurdët, por edhe popujt tjerë që nuk janë të pranuar në FIFA, insistojnë se zhvillimi i ndeshjeve me vendet tjera është e drejtë njerëzore dhe kërkojnë barazi në futboll.