E Shtunë, 31 Tetor 2026

Horror në Ersekë, masakrohet gjyqtari

TIRANE- Një histori kolektive. Sapo gjyqtari kryesor Gentjan Nora ka vërshëllyer për fundin e ndeshjes Gramozi-Memaliaj, të gjithë futbollistët kolonjarë i janë vërsulur duke e goditur me shkelma dhe me grushte. Mëkati i vetëm i kryesorit nga Gjirokastra ishte fakti se takimi nga 2 me 0 për Gramozin, përfundoi në barazim 2 me 2. Dhe të mendosh që ishte vetëm java e parë e kampionatit dhe nuk bëhej fjalë për t’u ngjitur, apo për të rënë nga kategoria. Dhunë e paarsyeshme, shkruan sot e përditshmja ‘Panorama Sport’.

I pari që e godet arbitrin kryesor është trajneri, Visi Pei. Pasi afrohet tek gjyqtari, u thotë policëve që e rrethojnë se thjesht dëshiron ti japë dorën, por në fakt e godet nga mbrapa. Në këtë moment ndërhyjnë dhe kapiten Shupe dhe të tjerë. Ndërkaq, forcat e rendit janë të pafuqishme për të ndalur lojtarët kolonjarë, që vërsule ndaj gjyqtarit kryesor, duke mos kursyer asgjë. Arbitri përfundon në tokë i gjakosur dhe vetëm në këtë moment ndalet dhuna e futbollistëve ndaj Norës.

Në këtë moment, kryesori shoqërohet menjëherë me ambulancë për në spitalin e Ersekës, ku mori ndihmën e parë, ku dhe ka kaluar natën.
I kontaktuar nga Gazeta Panorama Sport, trajneri Memaliaj, Altin Zhupa, tregon gjithçka ka parë në Ersekë. “Që në fillim të takimit u duk presioni i vendasve ndaj gjyqtarit. Në cdo faull që ai jepte për ne, i mblidheshim 4-5 futbollistë vendës duke i bërë presion. Në shumë momente ai dridhej. Sapo ka përfunduar takimi dhe arbitrat kanë hyrë në dhomat e zhveshjes, të gjithë futbollistët vendës janë vërsulur, duke e goditur barbarisht, ndërsa policia nuk ndërhynte fare. Kemi parë tmerr me sy”, tregon Zhupa.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›