Tradhton sulmi, Vllaznia del huq, fiton Kukësi

Vllaznia-Apolonia 1-1
Shkodranët dominojnë, por gabojnë shumë para portës.
Vllaznia është blofi i kësaj jave, pasi ka barazuar në fushën e vet me Apoloninë. Ndërkohë fiton për herë të parë Kukësi, ndërsa Kastrioti “zhyt” Tomorin. Mbrojtja e hekurt dhe kundërsulm vrastar. Kaq ka mjaftuar që Apolonia t’i marrë një pikë Vllaznisë në “Loro Boriçi”, duke i shkaktuar një tjetër “tërmet”, ndonëse disi më të vogël në krahasim me atë që i shkaktoi Skënderbeu javën e parë. Kuqeblutë, edhe pse e nisën si mos më mirë këtë përballje duke shënuar ende pa u nxehur mirë gjakrat, përsëri nuk arritën ta administronin rezultatin, më së pari duke u ndëshkuar nga një aksion pa shumë pretendime dhe së dyti, duke gabuar raste pa fund te porta e fierakëve. Dështon sërish sulmi, ku si Rexha në pjesën e parë dhe Hysa në të dytën ishin shumë larg pritshmërive. Ndërkohë ka vend edhe për polemika, në një rast në fund të ndeshjes, ku arbitri u bë protagonist duke preferuar që rrëzimin e Smajlit ta konsideronte jashtë zonës dhe jo brenda, sikundër protestuan shkodranët. Vllaznia e nisi praktikisht në epërsi ndeshjen me Apoloninë, sepse pa kaluar as tri minuta Dragoi arriti t’i kalonte kuqeblutë në avantazh. Goli të jepte përshtypjen se jo vetëm do të kishim një goleadë, por edhe një fitore të lehtë të vendësve. Megjithëse nuk dorëzohen dhe as demoralizohen fierakët, të cilët shfaqen kompaktë dhe mjaft pragmatistë. Megjithatë, goli i barazimit do vinte vetëm në minutën e 27-të. Kundërsulm i fierakëve, Jakupi gjen Ribajn në gjysmëfushën e kuqebluve, i cili parakalon në sprint Belishën, hyn në zonë, dhe në një pozicion të prirët me portën gjuan fort duke shtangur Vijadinoviçin. Pas këtij momenti, të dyja skuadrat mundohen të kontrollojnë mesfushën, prej nga nisin edhe aksionet e rrezikshme drejt portave respektive. Me fillimin e pjesës së dytë trajneri Duro aktivizon një sulmues tjetër, Vilfor Hysën, duke parë se reparti i tij ofensiv në 45 minutat e para nuk kishte forcë për të tërhequr kuqeblutë përpara. Por loja vijon të jetë e njëjtë, kjo edhe për faktin se krahët e mesfushës nuk funksionojnë, ndaj Duro ndryshon sërish duke futur edhe Shtubinën dhe larguar çuditërisht Hajdarin, një nga më të mirët deri në ato momente. Në 20 minutat e fundit vendësit ekzekutojnë disa goditje dënimi dhe këndi, por në asnjë rast koka e Seminës dhe Beqirit (ishin ata që godisnin me kokë në zonë) nuk rezultuan problematike për portierin Miço, duke hequr këtu vetëm një rast, kur topi u ndal në tra. Në limitin e ndeshjes ka një moment të diskutueshëm, teksa Smajli ndërmerr një inkursion nga e djathta, por pengohet mbi vijën e zonës fierake. Për kryesorin nuk ka penallti, por vetëm goditje dënimi. Sakaq, Adekule i Apolonisë del me të kuq dhe për 5 minuta miqtë luajnë me një lojtar më pak, megjithëse nuk ndodh asgjë. Në dy ndeshjet e tjera të luajtura dje, Kukësi arriti fitoren e parë në elitën e futbollit shqiptar falë një goli të Popoviç, ndërsa Kastrioti fundosi edhe më shumë Tomorin, e vetmja skuadër kjo që nuk ka marrë asnjë pikë në katër javë kampionat.
Duro: Humbëm prej arbitrit e sulmuesve
Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, në analizën që i bën barazimit të djeshëm me Apoloninë, fokusohet në dy momente: së pari te penalltia e padhënë sipas tij nga ana e arbitrit dhe së dyti te fakti se sulmuesit e tij nuk ishin në lartësinë e duhur. “Morëm një barazim që nuk është rezultat pozitiv për skuadrën tonë. Për sa i përket gjykimit, është për t’u diskutuar momenti i penalltisë. Nuk mund të jem në këto momente i qartë në qoftë se ka qenë apo jo për penallti. Në pjesën e dytë sulmuam vazhdimisht dhe patëm disa situata para portës, por sot na u deshën sulmuesit e vërtetë dhe normalisht, të cilët nuk i kishim”, përfundon Duro.
Gjoka: Nuk vodhëm asgjë, e merituam
Trajneri i Apolonisë, Ernest Gjoka, ka qenë i kënaqur në përfundim të ndeshjes me Vllazninë. Sipas tij, fierakët nuk vodhën asgjë në Shkodër, por merituan rezultatin e duhur për atë që dhanë në fushën e lojës. “Jam i kënaqur për atë që lojtarët e mi dhanë në fushën e lojës. Ishim të bindur që do merrnim pikë dhe u organizuam mirë. Bëmë gabim dhe pësuam golin, por rikuperuam dhe patëm rastet tona për shënim. Rasti i diskutuar? T’ju them të drejtën për mua nuk ishte penallti, pasi aksioni ose më mirë pengimi nisi jashtë zonës dhe më pas u reflektua brenda, ndaj arbitri në këtë rast veproi drejt.
Java e 4-t
TË PREMTEN
Besa-Teuta 1-0
TË SHTUNËN
Luftëtari-Tirana 0-1
Flamurtari-Shkumbini 1-1
DJE
Kastrioti-Tomori 1-0
Fataki 35′
Kukësi-Bylis 1-0
Popoviç 49′
Vllaznia-Apolonia 1-1
Dragoi 3′/ Ribaj 27′
SOT
Skënderbeu-Laçi 19:00Kategoria superiore
RENDITJA
Nr EKIPI N F B H G+ G- P
1. Tirana 4 3 1 0 6 1 10
2. Skënderbeu 3 2 1 0 6 2 7
3. Laçi 3 2 1 0 5 1 7
4. Besa 4 2 1 1 5 2 7
5. Kastrioti 4 2 1 1 4 5 7
6. Kukësi 4 1 3 0 1 0 6
7. Vllaznia 4 1 2 1 5 4 5
8. Flamurtari 4 1 2 1 4 3 5
9. Luftëtari 4 1 1 2 4 5 4
10. Teuta 4 1 1 2 3 6 4
11. Shkumbini 4 1 1 2 2 5 4
12. Apolonia 4 0 3 1 2 4 3
13. Bylisi 4 0 2 2 3 5 2
14. Tomori 4 0 0 4 0 7 0
Çmimet “trembin” tifozët
“Loro Boriçi” ka qenë i zbrazët ditën e djeshme, edhe pse ndeshja luhej në një orar të përshtatshëm për të gjithë. Në fakt ka pasur dy arsye, njëra më e fortë sesa tjetra, gjë që ka bërë që tifozët të mos e ndiqnin skuadrën e tyre nga stadiumi. E para se një pjesë e mirë e mbështetësve i konsideruan si të kripura çmimet e biletave për këtë ndeshje. Një biletë në tribunën qendrore kushtonte 5 mijë lekë të vjetër, ndërsa për karshi kushtonte 4 mijë lekë të vjetër. Por për tifozët ishte një çmim i shtrenjtë për një kundërshtar si Apolonia. Së dyti, në të njëjtin orar luhej edhe Mançester Siti-Arsenal, ndaj shumë tifozë preferuan të ndjekin këtë ndeshje.