Shkon Besniku!
Besnik Kollari nuk është më trajner i Llamkos Kosovës. Trajneri vushtrrias ka dhënë dorëheqje nga posti i tij të hënën, e cila është aprovuar nga kryesia e klubit. Ish futbollisti i njohur kosovar vendosi të tërhiqej, pas rezultateve të dobëta të bardhekaltërve në xhirot e fundit.
“Kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetrajnerit. Pas barazimit në ndeshjen e fundit, e kam ndier veten shumë të lodhur dhe kam vendosur që më duhet një pushim. Kam punuar më tepër se dy vjet në KF Kosova dhe e kemi sjell ekipin në Superligë, përkundër gjendjes së rëndë nëpër të cilën kishte kaluar. Sot ky problem nuk ekziston dhe me privatizimin e klubit, me ardhjen e Llamkos Galvasteel, është zgjidhur problemi financiar”, ka shkruar në një komunikatë për shtyp trajneri vushtrrias, i cili falënderoi kryesinë, bashkëpunëtorët, lojtarët, tifozerinë dhe dashamirët e futbollit vushtrrias për mbështetjen që ia kanë dhënë gjatë kësaj periudhe.
Gjithsesi, Kollari nuk do të largohet përfundimisht nga Kosova (V), pasi që ai pritet të emërohet drejtor i shkollës së futbollit. Ndërkohë, kryesia e klubit ka mbetur gojëhapur me vendimin e ish trajnerit të Prishtinës dhe Trepçës, ngase kishin besim total në të, përkundër rezultateve zhgënjyese të kohëve të fundit.
“Besniku na njoftoi për dorëheqjen e parevokueshme. Ne nuk e prisnim një gjë të tillë, pasi që kishim besim tek ai. Kollari nuk është fajtor për rezultatet e fundit. Ne do të donim që ta shohim atë në një ekip të cilin pretendojmë ta bëjmë në të ardhmen, por ai ka vendosur të tërhiqet, pasi që ishte nën presion dhe dëshiron të pushojë dhe të qetësohet. Është fakt se nuk ia kemi ofruar mundësitë optimale me ekipin që e kishte në dispozicion”, deklaroi menaxheri i klubit vushtrrias, Ismet Munishi.
Ai ka njoftuar se përkohësisht stërvitjet do t’i udhëheqë Reshat Zyberi para se të merret ndonjë vendim definitiv. Kryesia e klubit vushtrrias do të mblidhet të martën, kur do ta shqyrtojë dorëheqjen e Kollarit dhe do të bisedojë me tifozë e lojtarë për t’i ndërmarrë hapat e mëtutjeshëm.
Trepça ’89, e vetmja e pamposhtur
Trepça ’89 është ekipi i vetëm që ka mbetur i pamposhtur në Superligë, pas pesë xhirosh të zhvilluara. Mitrovicasit ia shkaktuan Prishtinës humbjen e parë, duke e marrë kreun e tabelës. Gani Sejdiu ndihet i kënaqur me atë që po e japin në fushë lojtarët e tij dhe shpreson që ‘Xehetarët’ ta ndjekin këtë rrugë deri në fund të sezonit.
“Forca jonë dhe arsyeja se kemi arritur deri këtu është se kemi një grup të disiplinuar futbollistësh, të motivuar, faktikisht një grup kompakt, i cili ka dëshirë ta japë maksimumin. Këto na bëjnë të fuqishëm si skuadër. Duhet ta pranojmë se kemi disa lojtarë cilësorë, por kemi bërë kombinim me lojtarë të rinj, edhe pse nuk kemi fond të mjaftueshëm lojtarësh”, u shpreh trajneri mitrovicas.
“Lojtarët janë treguar mjaft inteligjentë, po e kuptojnë shumë mirë idenë, filozofinë dhe qëllimin tim, për ta nxjerrë maksimumin nga ta. E kanë kuptuar stilin e lojës që unë e aplikoj. Fuqia e gjithë kësaj është grupi i shëndoshë, nuk ka egoizëm në mes të lojtarëve, ka inteligjencë, fuqi dhe agresivitet”, vijoi ai.
Momentalisht, Trepça ’89 nuk e ka zyrtarisht objektiv kryesor titullin, por Sejdiu thotë se, nëse ekipi i tij vazhdon me ritëm të njëjtë deri në janar, me disa përforcime eventuale gjatë dimrit, ekipi gjelbër e bardh do t’i hyjë edhe zyrtarisht luftës për titull.