E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, së shpejti pjesë e liberalizimit

Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se përmbushja e të gjitha kritereve dhe standardeve demokratike, që dalin nga procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, është prioriteti kryesor i ekzekutivit vendor.

Ai këto komente i bëri të enjten gjatë një takimi me Tomas Kosendi, sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes të Gjermanisë, me të cilin ka biseduar për gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Thaçi theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës për thellimin e reformave të gjithëmbarshme në vend.

Duke riafirmuar rolin e Kosovës, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, me perspektivë të qartë të integrimit në NATO dhe BE, kryeministri Thaçi vuri në dukje vizionin dhe angazhimet e Qeverisë që ai drejton për sundimin e rendit dhe ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave të pakicave, bashkëpunimin rajonal, dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Përmbushja e të gjitha kritereve dhe standardeve demokratike, që dalin nga procesi i integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO, është prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës. Me përkushtimin tonë të vazhdueshëm për përmbushjen e këtyre kritereve dhe standardeve, jemi të bindur se Kosova në një periudhë shumë të afërt do të jetë pjesë e procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit falënderoi sekretarin Kosendi edhe për ndihmën që qeveria gjermane po jep në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›