Përse Artan Hoxha duhet të kthejë çmimin e gazetarit
Artan Hoxha mori shpërblimin vjetor si Gazetar i Vitit nga Unioni i Gazetarëve. Është një çmim që i takon pa debat për këtë vit që po mbyllet, por që hap një debat të madh mbi vlerën dhe ndikimin e gazetarisë shqiptare në opinionin publik.
Artan Hoxha më 21 Janar filmoi 3 orë rresht përballë snajperëve dhe ushtarëve të gardës, duke ndryshuar historinë e një krimi shtetëror që tentoi të fshihej. E kisha në krah qysh në minutat e para të protestës dhe çuditesha kur ai njihte thuajse gjithë policët profesionistë që kishim përballë, rrezikshmërinë ose përgjegjshmërinë e tyre emër për emër. Shikonte snajperët në tarracë dhe thoshte janë djem të mirë, shikonte dikë tek dera e kryeministrisë dhe i përmendte emrin, shikonte dikë që nuk e njihte dhe fokusohej… derisa një kapsollë me gaz lotsjellës na ra si nga qielli tek këmbët dhe na detyroi të futeshim brenda fasadës së kullave binjake. Ishte tipi i gazetarit që kish jetuar për vite të tëra me policinë, përplasjet e saj me politikën dhe integritetin e njerëzve të rendit. Ishte i sigurt në fillim se nuk do vrisnin, pasi ai i njihte ata.
Ndodhi ajo që ndodhi. U vranë katër vetë dhe kamera e tij filmoi thuajse live zjarrin e gardistit dhe këputjen e Ziver Veizit para derës së kryeministrisë. Shfaqja e videos pak para mesnatës nxiu dhe më fytyrën e vrasësve. Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, që deri në atë kohë po mbroheshin me skenarin e stilolapsave pistoletë, çadrave me maja helmuese nga gjarpërinjtë e jugut dhe pistoletat surprizë, heshtën. Mbyllën dyert e kryeministrisë, mbajtën aty peng gjithë ata që qëlluan dhe që ishin vrasësit potencialë të 4 qytetarëve dhe rreth tridhjetë të tjerëve të plagosur, morën serverin e kryeministrisë, kopjuan dhe zhdukën gjithë pjesët filmike të regjistruara nga kamerat dhe gjithë urdhrat e transmetuara në radiot e gardës për të qëlluar mbi turmën. U sollën tamam si vrasës si vetëdijshëm.
Të nesërmen Sali Berisha kundërshtoi urdhrat e kryeprokurores për arrestim dhe refuzuan tu japin serverin e kryeministrisë, të cilin sapo e kishin shkatërruar. Rreth 2800 gëzhoja në oborrin e kryeministrisë dhe kangjellat e copëtuara nga ana e brendshme tregonin se ishte bërë një qitje masive mbi njerëzit e pambrojtur. Filmimet e kamerës së Artan Hoxhës shkonin dhe më tej. Duke qenë të filmuara nga një lartësi më e madhe, me një kënd më të gjerë, ato jepnin më të qartë pamjen e asaj çfarë kishte ndodhur, kush kish qëlluar, si kishte ecur dinamika e ngjarjes.
21 janari po vjen përsëri. Artan Hoxha ka marrë një çmim simbolik si Gazetar i Vitit, ndërsa familjet e viktimave asnjë fjalë për vrasësit që ka filmuar Artan Hoxha. Krimi i 21 Janarit është i vetmi krim shtetëror në botë, ku dihen dhe shihen autorët, dhe janë vetëreklamuar urdhëruesit që kanë fshirë pamjet dhe radiot që kanë përcjellë urdhrin e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës për vrasje. Një vit më pas, ne kemi një dekoratë për një gazetar, disa demonstrues paqësorë të arrestuar për dhunë dhe dy vrasës që mbajnë dy zyra të rëndësishme në shtetin shqiptar, njëri në Kryeministri dhe tjetri i transferuar po me dhunë në Bashki.
Kur ndeshesh me një bilanc të tillë pas një krimi shtetëror të kryer me gjakftohtësi dhe të dokumentuar nga gazetarë kurajozë, pyetja e parë që lind është se sa vlen të jesh gazetar në një vend ku zëri yt nuk dëgjohet? Artan Hoxha, i ndihmuar nga vesi i të qenit gazetar, por dhe nga fati, ka dokumentuar një gjë që rrallëkush në botë ka pasur fatin ta dokumentojë si gazetar. Me një video të tillë vrasësit do të ishin prej 11 muajsh në qeli. Ne jo vetëm që i kemi në krye të vendit dhe në krye të Tiranës, por u bëjnë dhe karshillëk çdo ditë fëmijëve të lënë jetimë, duke u hequr si familje që bëjnë mirësi, si njerëz të pasur që shpërndajnë mirësi dhe para të vjedhura nga xhepat tanë për fëmijët në nevojë të Shqipërisë.
Fakte shumë herë më të dobëta se ato që ka transmetuar Artan Hoxha kanë tronditur qeveri dhe presidentë në vende të tjera të botës. Tek ne jo vetëm që nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, por kanë ndikuar për të dëshpëruar qytetarët, duke u forcuar atyre bindjen për kulturën e mosndëshkimit, për të cilën i tërhoqi vërejtjen burrit të shtetit në qeveri së fundi dhe ambasadori Arvizu. Miliona shqiptarë kanë parë se si u vranë katër demonstrues dhe askush nuk u dënua. Me miliona shqiptarë kanë parë Ilir Metën se si fliste për miliona që vjedh nga xhepat tanë dhe spo dënohet. Me miliona shqiptarë panë se si Lulëzim Basha vodhi mandatin dhe spo shqetësohet. Me miliona shqiptarë panë se si Lulëzim Basha nuk shkoi para drejtësisë me procedurë për akuzën e shpërdorimit të 220 milionë eurove dhe vazhdon të buzëqeshë. Me miliona shqiptarë panë Fatmir Mediun si u mbrojt me imunitet para gjykatës për 26 të vrarë dhe është ende ministër. Me miliona shqiptarë panë Fahri Balliun duke i kërkuar ndere për 500 mijë euro një ministri dhe është shpallur Njeri i Vitit në Bathore….
Ka dhe dhjetëra fakte të tjera ilustruese në nivele më të ulëta që tregojnë se në këtë vend gazetaria nuk ka më vlerë, pasi ajo dhe kur filmon vrasjet live nuk ka më asnjë vlerë. Kolegu dhe miku im Artan Hoxha nuk ka sot asnjë arsye për të gëzuar që është vlerësuar si Gazetar i Vitit. Ai ka rritur më shumë dëshpërimin në këtë vend, që edhe pas mrekullisë gazetareske që ka bërë, nuk ka mundur të trimërojë dot Prokurorinë të arrestojë jo vetëm vrasësit fizikë të katër qytetarëve, por dhe Sali Berishën, i cili në flagrancë urdhëroi mosdorëzimin e tyre dhe shkatërrimin e provave. Ai na ka dëshpëruar të gjithëve dhe na ka bërë të ndjehemi të pafuqishëm përballë këtij pushteti, i cili ka vendosur diktatin mbi drejtësinë dhe ka zhvlerësuar çdo kontribut intelektual, gazetaresk, apo civil në vend. Ne nuk kemi as fuqinë dhe as mundësinë të rindodhemi para një krimi të ri shtetëror dhe ta filmojmë ashtu live për të ndëshkuar Sali Berishën. Ajo që i ndodhi me filmimet e Artan Hoxhës është një meteor që u shfaq mbi kryet tona dhe u dogj pa mbërritur askund. As Artan Hoxha nuk bën dot më një gjë tjetër më të fortë se kjo për të provuar një krim, që ende nuk po ndëshkohet.
Për këtë arsye kam një propozim për të. Ta marrë atë medaljen e dhënë nga shoqata e gazetarëve dhe tia dorëzojë Ina Ramës, pa inat dhe mërzi. Tia dorëzojë me premtimin që ajo tia rikthejë kur vepra e tij të ketë kuptim, kur ata që ai ka filmuar duke vrarë të jenë në burg dhe kur Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, si dy vrasës në detyrë, të shihen duke kaluar derën e gjykatës. Le të vijë kur të dojë ajo kohë, qoftë dhe në kohën kur Berishës i duhet të shkojë aty me barela e Basha duke i mbajtur oturakun. Ajo është koha kur Artan Hoxhës i duhet ajo medalje dhe i shijon ajo që ka bërë. Pasi ajo është koha që shoqëria jonë e ka bërë e gjitha detyrën e saj siç e ka bërë ky gazetar. Ajo është koha që do të kemi dhe prokurorë dhe gjykatës, dhe opinion publik dhe intelektual, dhe diplomatë jo mediokër dhe mbi të gjitha drejtësi. Ajo është koha e çmimeve. Kjo është koha e krimeve.
