Tranzicioni i pushtetit në Korenë e Veriut/Trashëgimtari Kim Jong Un emërohet udhëheqës i Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve

Ky post i jep atij autoritetin për vendimmarrje në një nga institucionet më të larta të vendit
Organi kryesor i Partisë Komuniste të Koresë së Veriut, “Rodong Simmun”, njoftoi dje se trashëgimtari i Kim Xhong Il-it, Kim Xhong Un, ka marrë një tjetër post të rëndësishëm, atë të udhëheqësit të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve. Ky post i jep atij autoritetin për vendimmarrje në një nga institucionet më të larta të vendit. Agjencia koreane e lajmeve e quajti gjeneralin Kim “udhëheqësin suprem të forcave të armatosura revolucionare”, si dhe “komandant suprem”, përdorimi i parë i këtij titulli, që e kishte mbajtur më parë i ati. Kim Xhon Un po ashtu është gjeneral me katër yje, edhe pse ka pak eksperiencë në fushën ushtarake dhe është nën moshën 30 vjeçare. Ndërkohë, sipas disa burimeve, pushteti në Korenë e Veriut do të shndërrohet nga një diktaturë tiranike e ushtruar nga i ndjeri, Kim Jong il, në një sundim kolektiv, në krye të së cilit do të qëndrojë trashëgimtari, Kim Jong-Un, kanë bërë me dije burime të sigurta nga Pekini dhe Pheniani. Sundimi kolektiv do të jetë i përbërë nga ushtria, trashëgimtari dhe xhaxhai i tij. I riu Kim do të qëndrojë në krye të këtij sundimi. Burimi shtoi se ushtria, e cila është duke u përpjekur për të zhvilluar një arsenal bërthamor, i ka premtuar besnikëri Kim Jong-un-it të paprovuar, i cili është emëruar në krye të dinastisë së familjes së tij, dinasti kjo që e ka sunduar Korenë e Veriut që nga themelimi i këtij vendi pas Luftës së Dytë Botërore. Për arsye sigurimi, burimi nuk ka pranuar të identifikohet, por saktësia e tij është e provuar, pasi i ka treguar në të shkuarën agjencisë prestigjioze informative “Reuters” për testin e parë bërthamor të vitit 2006, para se ajo të zhvillohej. Këto komente janë sinjali i parë se Koreja e Veriut po ndjek një kurs që shumë analistë kanë parashikuar - ajo do të qeveriset nga një grup njerëzish, për herë të parë, që kur u themelua në vitin 1948. Të dy, Kim Jong-il dhe babai i tij Kim Il-Sung ishin sundimtarë të fuqishëm dhe autoritarë, të cilët ndoqën politika izoluese për vendin e tyre. Pasiguritë lidhur me tranzicionin e pushtetin pas vdekjes së Kim Jong Il-ku aludohej edhe për një grusht shteti- duket se janë shuar dhe situata në Korenë e Veriut duket më e qetë, pasi ushtria i ka dhënë mbështetjen e saj trashëgimtarit të pushtetit, Kim Jong-Un-it. "Është shumë e vështirë", tha burimi, i pyetur për mundësinë e një grushti shteti ushtarak. "Ushtria është zotuar për besnikëri ndaj Kim Jong-Un". Song Jang-thaek, 65-vjeç, kunati i Kim Jong-Il-it dhe xhaxhai i Kim-it të ri, shihet si mbajtësi i pushtetit pas fronit së bashku me gruan e tij Kim Kyong-hui, motra e Kim Jong-il. Prapa fronit, skeptrin e pushtetit e mban edhe Ri Yong-ho, kreu i ushtrisë koreano veriore. I riu Kim, i cili është tek të 20-at e tij, ka mbështetësit e vet, por nuk është mjaft i fortë për të konsoliduar pushtetin, thonë analistët.
"MBIJETESA E REGJIMIT"
"Të gjithë kanë një interes për mbijetesën e regjimit. Siguria e tyre personale është e lidhur ngushtësisht me të dhe mbështetja ndaj Kim Jong-Un-it është manifestimi i kësaj. Unë mendoj se regjimi do të mbetet i qëndrueshëm”, thotë Ralph Cossa, një analist për Korenë e Veriut. "Në periudhën afat gjatë, ka shpresa-që burojnë nga Kina- që Kim Jong-un të ndërmarrë disa reforma të stilit kinez, të cilat do t’i shtojnë figurës së tij epitetin reformatori”. Ndërkaq, burimi i nivelit të lartë tha gjithashtu se Koreja e Veriut lëshoi një raketë të hënën, për të paralajmëruar SHBA-në që të mos ndërmarrë ndonjë aksion kundër saj. Megjithatë, sipas burimit, tani për tani Pheniani nuk ka ndonjë plan që të përshkallëzojë tensionet. Programi bërthamor i Veriut vazhdon të jetë burim tensionesh në bashkësinë ndërkombëtare. Pheniani ka kryer teste bërthamore në vitin 2006 dhe 2009, dhe ka braktisur bisedimet gjashtë palëshe me Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara, Kinën, Japoninë dhe Rusinë. Dy Koretë vazhdojnë të qëndrojnë të ndara prej dekadash, dhe gjenden praktikisht në gjendje luftë që nga konflikti i viteve 1950-53, i cili përfundoi me një marrëveshje armëpushimi por jo paqeje. Në këtë konflikt,Shtetet e Bashkuara mbështesin Jugun, ndërkohë që Kina mbështet Veriun. Kjo e fundit është e bindur se Jugu ka armë bërthamore amerikane, dhe vazhdon t’i kërkojë SHBA-së largimin e tyre.
...