E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova standarde në menaxhimin e kufijve

"Sot, Kartan Björnsson, ushtrues detyre i shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë zyrtarisht ka shpallur fillimin e Projektit të Binjakëzimit për Forcimin e Sundimit të Ligjit – Policisë Kufitare dhe të Vijave Administrative. Projekti do të përmirësojë sundimin e ligjit në Kosovë, duke rritur kapacitetet dhe mundësitë profesionale të Policisë së Kosovës, e në veçanti të policisë kufitare dhe të vijave administrative", thuhet në një komunikatë për shtyp.

"Ekspertë policorë evropianë do të punojnë bashkë me kolegët e tyre në Kosovë për të këmbyer përvojat dhe praktikat më të mira dhe si rezultat i këtij zotimi të përbashkët Kosova do të përmirësojë mundësinë e saj për të ndërprerë kontrabandën dhe parandaluar kalimet e paligjshme të kufijve", thekson komunikata e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian

"Binjakëzimi është një instrument shumë i vlefshëm i procesit të zgjerimit, që na mundëson të dërgojmë zyrtarë nga administrata e vendeve anëtare të BE-së të punojnë së bashku me kolegët e tyre në administratën e ndonjë vendi partner. Ekspertët nga Evropa ndihmojnë në përgatitjen e implementimit të legjislacionit evropian në një sektor të caktuar", tha Björnsson.

Ndërkohë zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës vlerësoi se projekti do të ndihmojë Kosovën të përmbushë kriteret e BE-së për procesin e liberalizimit të vizave. "Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë mes Policisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian përmes këtij projekti ndikon në implementimin e Strategjisë IBM dhe plotëson një nga kriteret e procesit për liberalizimin e vizave", tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›