E Diel, 1 Nëntor 2026

Edita me shoqe për 8 Mars harxhojnë 50 mijë euro të taksapaguesve

Ndaj grave të Zyrës së Kryeministrit është treguar zemërgjerë për 8 Mars Edita Tahiri, por pa prekur në kuletën e saj. Ka prekur në të shtetit.

Diku 50 mijë euro është kostoja publike e shpenzuar për tripin në Shqipëri të autorizuar nga zëvendëskryeministrja Tahiri, si dhe për ekipin e saj mbështetës. Pjesë e tij ishin 36 femrat që punojnë në zyrën më me rëndësi të ekzekutivit. Të enjten kishin mbërritur në Tiranë, e të dielën pasdite qenë kthyer në Prishtinë.

Nga atje kanë postuar fotografi në rrjetin social Facebook, madje nga Mali i Dajtit, ku nga Tirana shkohet me teleferik.

Gratë e Qeverisë jo veç që nuk kanë pasur nevojë të fusin dorën në xhep gjatë kësaj vizite, por ato kanë realizuar edhe të ardhura shtesë. Ndonëse ishin pjesë e një tripi, secila nga to ka realizuar nga dy mëditje. E tarifa për një mëditje të udhëtimit zyrtar në Shqipëri është 209 euro.

Njëra nga pjesëmarrëset ka treguar në kushte anonimiteti arsyen e vetme që i ishte bashkëngjitur tripit.

“Veç për mëditje shkova”, ka treguar ajo, për Kohën Ditore. “Mëditjet në Shqipëri janë të mira, se përndryshe nuk i kisha lënë tri net fëmijët vetëm”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›