Kosova, tregim i suksesit

Seanca filloi me ekzekutimin e himnit të Kosovës.
Ndërkaq, të pranishëm në vendet e rezervuara për mysafirë ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të pranisë ndërkombëtare, si dhe ambasadorët e vendeve të ndryshme.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se ëndrra e Kosovës për t’u bërë shtet u realizua me sakrificat e mëdha të popullit dhe ndihmën e madhe nga shtetet aleate me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurse sot, kur është e pavarur, Kosova, nënvizoi Jahjaga, e ka vendin e vet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Ne jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon e më gjerë. Kosova e ka ndërtuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar dhe do të përfaqësohet e barabartë dhe me reciprocitet të plotë. Proceset nuk kthehen prapa dhe askush nuk mund të krijojë përshtypjen se procesi i pavarësisë së Kosovës nuk është i përfunduar. Të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim bashkohen në vizionin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, tha Jahjaga.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se 17 Shkurti i vitit 2008 paraqet datën më kulmore të historisë së Kosovës. Ai tha se Republika e Kosovës është një tregim i suksesit, me të cilin mund të krenohet bashkë me partnerët ndërkombëtar.
Fakti që katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova po hyn në muajt e fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, sipas Hashim Thaçit, paraqet një argument të përparimeve të shpejta në shtetin më të ri.
“Në vitin e katërt të pavarësisë, Kosova ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në rrafshin politik diplomatik dhe atë të zhvillimit ekonomik. Republika e Kosovës sot është njohur nga 87 shtete të botës dhe ka hapur procesin e dialogut për liberalizimin e vizave duke bërë hapa konkret në perspektivën e integrimeve evropiane. Viti 2012 është viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, si shenjë e arritjes së standardeve demokratike”, theksoi Thaçi.
Në fjalimin e tij, edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se shpallja e pavarësisë ishte sublimin i aspiratave shekullore të popullit të Kosovës. Ai tha se për katër vjet të pavarësisë, Kosova ka shënuar shumë përparime, por si një shtet i ri ende ka shumë sfida.
“Kosova u pavarësua e fundit nga subjektet konstituive të Federatës së ish-Jugosllavisë. Tash jo vetëm që nuk kemi kohë për të humbur, por duhet kompensuar hapat e munguar. Vetëm duke dyfishuar ritmet e zhvillimit historik Kosova mund të barazohet me vendet e lira prej kohësh. Vetëm duke shfrytëzuar gjithë potencialin dhe vlerat e saj, mund të hyjë denjësisht dhe kokëlartë në familjen e integruar evropiane”, u shpreh Krasniqi.
Të tre liderët e institucioneve nuk kanë lënë anash pa i përmendur kontributet që presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, kanë dhënë në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë së saj.
Kosova si shtet i pavarur është njohur nga 87 vende, numër ky që vlerësohet të jetë ende i vogël për aspiratat e shtetit më të ri evropian.
Ndërkaq, nga aspektet e zhvillimeve të brendshme, sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, Kosova ballafaqohet ende me sfida të sundimit të rendit dhe ligjit, shkallë të lartë të korrupsionit e krimit të organizuar dhe mungesë të shtrirje së sovranitetit në veri të vendit. /rel/