Pack: Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale me emrin e vet

*Zonja Pack, Kosova po shënon katër vjetorin e Pavarësisë. Mendoni se brenda këtyre viteve janë bërë hapa të qartë përpara?
Doris Pack: Mendoj se janë arritur shumë gjëra, por ka mbetur edhe shumë për tu bërë, për shkak se situate në Kosova ka qenë vazhdimisht e kërcënuar nga fqinji saj – Serbia, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë. Po ashtu shumë gjëra nuk kanë mundur të bëhen edhe për shkak se pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur gjithashtu pavarësinë e Kosovës.
*Përmendët BE-në. Do të thoni se Bashkimi Evropian ka nevojë të angazhohet edhe më shumë në Kosovë, pasi edhe katër vjet më pas pesë shtete të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën?
Doris Pack: Jemi duke ushtruar trysni dhe besoj se pesë shtetet e Bashkimit Evropian do ti bindim që ta veprojnë ashtu si 22 anëtaret tjera që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por, këtu, ndikimin e vet pozitiv duhet ta japë edhe qeveria e Kosovës, që me politikën e saj bindëse të ushtrojë ndikim pozitiv te këto vende. Dihet se ky është një proces i gjatë, por shpresoj se me një punë dhe angazhim të përbashkët do t’ia dalim. Me Serbinë, ndërkaq, po zhvillohet dialogu për çështje teknike. Shpresojmë se pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi do të ketë përparime më të mëdha në këtë dialog, se ato që kemi parë deri më tani.
*Një çështje kyçe që ka bllokuar mbajtjen e raundit të ri të dialogut Kosovë – Serbi është çështja e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale. Serbia po kërkon që ky përfaqësim të bëhet me fusnotë në të cilën do referohej Rezoluta 12 44 e KS të OKB-së. Cili është vlerësimi juaj?
Doris Pack: Mendoj se mjafton të jetë e shkruar vetëm Kosova. Me ta parë këtë mbishkrim në takimet ndërkombëtare gjithë kush do ta kuptojë se për kë bëhet fjalë. Prandaj, mendoj se kjo është zgjidhja: pra që Kosova të përfaqësohet me emrin e vetë: Kosova, ashtu si themi ne për shembull Gjermania, ose Franca, pa ndajshtesa. Megjithatë, për këtë duhet të dialogohet, sepse është një situatë e rëndë për të dyja palët, pasi në Serbi në maj do të ketë zgjedhje dhe partitë mes veti do të bëjnë fushatë zgjedhore edhe në kurriz të Kosovës. Ky është realitet, por shpresoj, se tek pas zgjedhjeve, do të ketë përparime, pasi politikanët serbë do të jenë të lirë të pranojnë realitetin ashtu si është në Kosovë.
*Në dialogun për të cilin po flasim janë arritur shumë marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, por ato nuk po zbatohen në praktikë nga Beogradi? A do të dënohet Beogradi përsëri nga Këshilli i Ministrave të BE dhe Gjermania në fillim të marsit, ashtu siç ndodhi në dhjetor kur Beogradit nuk iu dha statusi i kandidatit për BE?
Doris Pack: Për këtë duhet të presim e të shohim ashtu siç po presin të gjithë. Mirëpo, ajo që mund të themi është se vetëm fakti që Serbia po zhvillon dialog me Kosovën nuk mund të shpërblehet. Kjo nuk mjafton, sepse rezultatet e këtij dialogu duhet merren seriozisht dhe të zbatohen në praktikë. Këtë e kemi kërkuar edhe në raportin që Parlamenti Evropian që do të miratojmë në fillim të marsit. Mendoj se serbët duhet ta kenë të qartë se thjesht nuk mund të ulesh rreth tavolinës, të flasësh e të flasësh dhe në fund prapë të mos dish se për çka është folur e dialoguar. Marrëveshjet duhet të realizohen, të zbatohen në praktikë, sepse janë shumë gjëra që janë në interes e të dyja palëve. Mendoj, se, ne të gjithë, duhet të angazhohemi fuqimisht që marrëveshjet e arritura të zbatohen, ndryshe ky dialog nuk ka fare kuptim.
Zonja Pack serbët në veri mbajtën një të ashtuquajtur referendum ku janë deklaruar se nuk i njohin institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Cili është qëndrimi i Parlamentit Evropian?
Doris Pack: Referendumi ka qenë plotësisht i panevojshëm dhe këtë nuk e themi vetëm ne dhe ju, por edhe serbët në Beograd, prandaj si it tillë ai nuk ka kurrfarë rëndësie. Kushdo që bën një vlerësim ndryshe, ai nuk jeton në këtë realitet. Mendoj se duhet të punojmë të gjithë së bashku, që të bindim serbët në veri, të njohin realitetin në Kosovë dhe planin e Ahtisaarit. Këtë duhet ta bëjë edhe Beogradi zyrtar. Plani i Ahtisaarit është i vetmi që mund tu ndihmojë serbëve të veriut në Kosovë, ashtu siç ka ndodhur me serbët në Jug të Kosovës, të cilët kanë pranuar planin dhe janë bërë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës. Kjo është e vetmja zgjidhje. Serbët në veri duhet ta kenë të qartë se nuk do të ketë kurrfarë ndarje të veriut dhe me sa më kujtohet edhe presidenti i Serbisë Boris Tadiq u ka thënë se ndarja e Kosovës nuk është përgjigje.