E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Zelandën e Re

Ambasadori jorezident i Republikës së Kosovës në Zelandën e Re, Muhamet Hamiti, i ka dorëzuar të enjten Letrat Kredenciale Guvernatorit të përgjithshëm të Zelandës së Re, Sër Anand Satyanand. Ceremonia tradicionale e paraqitjes së letrave kredenciale u zhvillua në selinë e Guvernatorit të Përgjithshëm të Zelandës së Re në Wellington.
Ambasadori Hamiti dhe Guvernatori Satyanand mbajtën nga një fjalë rasti, në prani të zyrtarëve qeveritarë, përmes të cilave uruan për suksesin e marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve, duke veçuar edhe lidhjet, kryesisht të kohëve të reja, në mes të dy popujve.
Hamiti falënderoi Zelandën e Re për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në dekadën e fundit dhe për pranimin e mikpritjen e refugjatëve të luftës nga Kosova. Si i dërguar i Kosovës në Zelandë të Re, Hamiti tha se do të punonte që të përkthente afeksionin në mes të dy shteteve në një marrëdhënie dobiprurëse për të dyja palët.
Ndërkaq, guvernatorit Satyanand tha se vendi i tij e "merr seriozisht përgjegjësinë e të qenit qytetar i mirë ndërkombëtar". Në këtë kontekst tha ai, Zelanda e Re "i hapi dyert për qindra refugjatë kosovarë në vitin 1999", dhe mbështeti kërkesat e suksesshme për anëtarësim të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore gjatë vitit të kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›