E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova vendos regjim vizash për disa shtete

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj që ka mbajtur të mërkurën ka marr vendim për vendosjen e regjimit të vizave për disa shtete që mund të jenë burim për kërcënim e sigurisë së brendshme të Republikës së Kosovës dhe të paqes ndërkombëtare, për vendet me fluks të migrimit të jashtëligjshëm dhe për vendet nga lista e zezë e Shengenit.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2013, pasi që duhet krijuar legjislacionit dhe duhet informuar ato shtete.

Ndërkohë kryeministri i vendit, Hashim Thaçi edhe njëherë ka ritheksuar përkushtimin e tij që Kosova do t’i kryej të gjitha obligimet ndaj Brukselit në afat rekord, ndërsa ka kërkuar një gjë të tillë edhe nga atje.

Në mbledhjen e ekzekutivit të vendit, çështja e aplikimit të vizave, ka qenë si pikë e parë e rendit të ditës.

Me këtë rast, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi ka thënë se kjo është e nevojshme pasi kërkohet nga strukturat e Euro-Atlantike.

“Kam nderin që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të paraqes propozim-vendimin për miratim të vendimit për vendosje të regjimit të vizave për një numër shtetesh ashtu si përcaktohet me shtojcën e propozim vendimit. Duhet rikujtuar si fillim se nevoja për miratimin e një vendimi të këtillë del si rezultat i nevojës për zbatim efikas për anëtarësim dhe integrim në strukturat euro-atlantike, e angazhimeve të ndërmarra ndërkombëtare nga Republika e Kosovës si dhe duke pas parasysh konsideratat e sigurisë shtetërore”, ka theksuar Gashi.

Ai ka thënë se për këtë çështje është themeluar një Grup punues për hartimin e politikave për regjim të vizave, i cili ka punuar në studimin dhe formulimin e propozimeve të duhura për regjim të vizave.

Prandaj ky propozim-vendim mbështetet në punën e këtij grupi dhe reflekton rekomandimet e ofruara.

Gashi ka thënë se vendosja e regjimit të vizave ndikon në ruajtjen e sigurisë të brendshme të Republikës së Kosovës si dhe adreson shqetësimet në raportet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kalimin e jashtëligjshëm përmes Republikës së Kosovës në vendet e treta, si dhe ndikon në proceset integruese në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, sa i përket implikimeve financiare, Gashi ka thënë se ky vendim mund të ketë implikime financiare, për faktin se duhet shtohet numri i stafit konsullor dhe të krijohet një qendër e vizave pranë Ministrisë të Punëve të Jashtme që të pajis shtetasit që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë.

Propozimi i Komisionit është që vendimi të hyjë në fuqi në janar të vitit 2013, pasi që duhet një kohë për vendet për t’i informuar ata që synojnë të hyjnë në Kosovë, por duhet edhe përgatitja e legjislacionit.

Me këtë propozim-vendim është pajtuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se është një vendim i cili ndoshta edhe më herët është dashur të merret.

Ai ka shtuar se Raporti i Progresit ka kërkuar që të vendoset, por nuk ka qenë decidiv, ndërsa tash është si kusht për Raportin e Progresit dhe është koha e duhur.

Për implikimet financiare që mund të ketë, ministri Rexhepi ka thënë se ka modalitete të ndryshme që mund ta zgjidhin këtë problem.

“Sa i përket mjeteve financiare është e vërtet që duhet, mirëpo për me kaluar më lehtë mos me pas implikime financiare ekzistojnë modalitetet. Na bëjmë bashkëpunim me një shtet të rajonit edhe ata kryejnë shërbime tona”, ka thënë Rexhepi.

Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se kërkesa për regjim vizash është një ndër kërkesat kryesore që do të ketë Kosova pas marrjes së udhërrëfyesit dhe është shumë mirë që Qeveria po i paraprinë Komisionit Evropian në këtë sfond.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se qeveria do të vazhdojë të punojë edhe njëanshëm për implementimin e plotë të gjitha kritereve demokratike, qofshin në legjislacion, politikë apo ekonomi, kritere këto të domosdoshme për integrimin e Kosovës në strukturat e Bashkimi Evropian dhe në strukturat Euro-Atlantike.

Sipas tij, Kosova do t’i kryej obligimet në afat rekord, ndërsa ka kërkuar edhe nga Brukselit që ta bëjë të njëjtën gjë, në mënyrë që të hiqen idetë për konflikte të reja dhe ndryshim të kufijve.

“Kosova do të vazhdon t’i kryej të gjitha obligimet me afat rekord, prandaj edhe thirrja jonë ka qenë edhe për Brukselin që mos të ketë vonesa tjera të panevojshme, sepse çdo vonesë e Brukselit edhe për Kosovën edhe për rajonin mund të ngjall apo fuqizon idetë e së kaluarës që sollën edhe konflikte të përgjakshme etnike dhe ide të ndryshimit të kufijve për bërjen e shteteve në baza etnike. Vizioni i Kosovës është vizion i qartë evropian për kufij të hapur dhe ndërtimin e shteteve shumë etnike”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/I-203 për Metrologji. Është shqyrtuar koncept-dokumenti për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/I-216 për themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave në Kosovë dhe shqyrtimi i koncept-dokumentit për Projektligjin për Institutin Kosovës për Administratë Publike. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›