Kosova e interesuar për stabilitet në Maqedoni

Kuçi ka përjashtuar mundësinë e ndonjë konflikti të mundshëm, ndërsa ka rekomanduar dialogun si mënyrë për zgjidhjen e të gjitha problemeve.
“Në këtë drejtim (të konfliktit) nuk duhet të kontribuojë askush; përkundrazi, duhet të punohet që në rrugë institucionale dhe demokratike, në koordinim me forcat politike e qytetare këtu, por edhe aktorët ndërkombëtarë, veçanërisht BE-në dhe SHBA-në, të zgjidhen problemet e tilla”, tha Kuçi.
“Kjo mendoj se është rruga më e mirë. Krizat e reja do të sillnin kriza, të cilave me siguri u dihet fillimi, por fundi i tyre do të ishte i tmerrshëm”, ka deklaruar Kuçi pas një ligjërate që ka mbajtur në Universitetin e Evropës Juglindore mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Kosova është e interesuar që Republika e Maqedonisë të jetë një shtet, i cili funksionon në kuptimin demokratik dhe respekton të drejtat e qytetarëve të vet, Marrëveshjen e Ohrit dhe veprimet dhe obligimet tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar Kuçi.
Në Maqedoni janë rritur tensionet ndëretnike sidomos pas vrasjes së pesë maqedonasve dhe arrestimit të shqiptarëve në lidhje me këtë rast. /rel/