Thaçi: Dinamika e Kosovës dhe Brukselit s'po përputhet

Ndërsa duke folur për raportet me Kuvendin e Kosovës ai ka pohuar se Qeveria do të respektoj të gjitha vendimet që dalin nga Kuvendi i Kosovës.
Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Thaçi, i pyetur për mocionin e Kuvendit të Kosovës, i cili rekomandon kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë, me zgjidhjen e fatit të të pagjeturve, Thaçi ka thënë se ekzekutivi i vendit i respekton të gjitha vendimet e legjislativit.
“Ne kemi respektuar gjithmonë opinionet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendimet, rezolutat. Deklaratat i vlerësojmë lartë dhe çdo veprim dhe vendim do të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Ndërkohë i pyetur për deklaratat e shpeshta kritikuese ndaj Brukselit, Thaçi ka thënë se ky është një mesazh që edhe Brukseli duhet të kryej obligimet ndaj Kosovës, siç ka kryer Kosova.
“Ky ishte mesazh i drejtpërdrejt për një rritje të fokusit të Brukselit për një agjendë më dinamike, sepse realisht dinamikat tona dhe të Brukselit ndonjëherë nuk po përputhen dhe këto dinamika duhet të përputhen me kryerjen e obligimeve që ne po i kryejmë dhe që duhet të vlerësohen me kohë nga Brukseli”, ka deklaruar ai.
Për më tepër Thaçi ka shtuar se këtë mesazh ia ka adresuar edhe zyrtarëve të BE-së në takimet që ka pasur, si Baroneshës, Catherine Ashton, Stefan Fyle, presidentit Van Rompuy dhe ambasadorëve.
Sipas tij, edhe ata pajtohen se thirrja e Kosovës për Brukselin është e arsyeshme, është e drejt dhe duhet të lëvizet më shpejt.
Ditë më parë, kryeministri ka kërkuar një vigjilencë të madhe nga ministrat në kryerjen e obligimeve, duke ua përmendur edhe ndërrimin e tyre, nëse nuk respektojnë afatet.
“Natyrisht çdo përgjegjës për dikasterin e vet e dinë se mos përmbushja e standardit evropian nënkupton edhe një vlerësim thjeshtë negativ për punën e tij”, ka theksuar kryeministri.
Ndërkohë, ai nuk ka qenë në gjendje të deklaroj se a do të marr Kosova udhërrëfyesin për liberalizim të vizave gjatë pranverës, siç nuk ka dhënë përgjigje të qartë, nëse Kosovës në tetor do të mund të shpresojë në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Sipas tij, Kosova do t’i kryej të gjitha obligimet e veta, ndërsa i takon Brukselit të merr vendimet. /kosovapress/