Kosova zeron tarifat doganore me SHBA, Kurti merr vendimin një ditë pas tarifave të reja amerikane

Një ditë pasi presidenti Donald Trump njoftoi tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se vendi i tij do të heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind mbi mallrat amerikane.
Ai theksoi se Kosova është e përkushtuar për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara
“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim është largimi i tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-të do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm që kjo të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe shtimin e investimeve,” deklaroi z. Kurti.
Vendimi i qeverisë u mirëprit nga presidentja Vjosa Osmani, por dhe Oda Ekonomike Amerikane.
“Jemi krenarë që kemi qenë vendi i parë që propozoi heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë,” tha presidentja Osmani.
Ndërkaq në mbledhjen e qeverisë, kryeministri në detyrë deklaroi se Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizimin e vendit.
“Fqinji ynë agresiv, Serbia vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë. Mirëpo, institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Republikës janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjës, me dëshmi për aktivitete të tyre kundër Kosovës, sikurse rastet e Bojan Jevtiq dhe Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i arrestuar më datë 18 korrik 2025 për nxitje të përçarjes dhe mos durimit ndëretnik,” u shpreh kryeministri Kurti.
Ai u ndal edhe tek situata humanitare në Gazë, për të cilën tha se Kosova i dënon sulmet ndaj civilëve palestinezë, që rezultojnë me vdekje dhe plagosje.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/