Kosovarë pa dokumente mbesin në aeroportin e Kajros
Deri tani nga Egjipti janë evakuuar 47 qytetarë të Kosovës, ndërkohë që sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, në këtë shtet, i cili po përballet me trazira, janë gjithsej rreth 150 shtetas të Kosovës.
Zëvendësministrja në dorëheqje, Vlora Çitaku, ka thënë se identifikimi i saktë i numrit të qytetarëve të Kosovës në këtë shtet ka qenë i pamundur për shkak të faktit se shumica prej tyre nuk kanë poseduar dokumente të Republikës së Kosovës.
Përmes Ambasadës së Kosovës në Ankara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, është bërë identifikimi i shumë shtetasve të Kosovës në Egjipt, ndërkohë që ka theksuar se është në dijeni që edhe kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka ndërmarrë një operacion evakuimi dhe beson se dhjetë nga qytetarët e Kosovës që janë atje do të evakuohen.
“Ne edhe sot nuk kemi një numër të saktë, ai varion diku mbi 150 qytetarë të Kosovës, megjithatë shumë prej tyre tashmë janë evakuuar. Shumica prej tyre në ditët e para janë evakuuar nga Qeveria e Turqisë, shumë prej tyre tashmë janë në Stamboll, ndërkohë që ka edhe të tillë që janë kthyer në Kosovë. E kam thënë edhe dje ne e mirëpresim çdo iniciativë qëllimmirë që për qëllim ka shpëtimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ambasadori ynë në Ankara po koordinon aktivitetet me kabinetin e zotit Pacolli”, ka thënë Çitaku.
Sipas informatave që ka MPJ, më 1 shkurt nga Egjipti janë kthyer dy shtetas të Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, 15 të tjerë janë evakuuar për në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa afër 30 të tjerë gjenden në Stamboll të evakuuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.
Por, sipas Çitakut, një numër i qytetarëve të Kosovës kanë mbetur në Aeroportin e Kajros për shkak të problemeve me dokumentet e tyre të udhëtimit.
“Ne jemi duke u munduar që përmes Ministrisë së Jashtme të Turqisë, përkatësisht Ambasadës së Egjiptit në Ankara të bëjmë lehtësimin e dokumenteve të tyre të udhëtimit. Ju e dini se kjo është sfiduese, kemi të bëjmë me një shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, megjithatë në këtë pikë ka bashkëpunim”, ka thënë Çitaku.
Egjipti dhe Tunizia janë përfshirë ditëve të fundit nga protesta antiqeveritare, qëllimi i të cilave është ndërrimi i pushtetit. Zv/ministrja Çitaku nuk dëshiron të paragjykojë nëse ndryshimet në qeveritë e këtyre vendeve do të ndikojnë edhe në ndryshimin e qëndrimit karshi pavarësisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se është herët të thuhet nëse ndryshimet eventuale politike në këto dy vende do të rezultojnë edhe me ndryshim të pozicionit të tyre karshi Kosovës, por ka theksuar se vendi ynë ka vazhduar dhe vazhdon të ketë kontakte me përfaqësues të këtyre shteteve, por edhe shteteve tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që të binden që të ndërmarrin një hap të tillë. (KosovaPress)